Partia e Vuçiqit e shpall fitoren në Beograd e në shumicën e qyteteve, opozita e akuzon për parregullsi

Beograd, 3 qershor 2024 – Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.

Pas numërimit të më shumë se 92 për qind të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë – e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – mori 52.85 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës, tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).

Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në Asamblenë e Qytetit prej 110 vendesh të kryeqytetit serb.

“Kjo është… një fitore e jashtëzakonshme”, tha Vuçiq, pas publikimit të rezultateve paraprake.

Sipas GIK-ut, Koalicioni opozitar “Kreni-Promeni” (Lëviz-Ndrysho), e kryesuar nga Savo Manojlloviq, doli e dyta me 17.61 për qind të votave apo me 21 mandate në Kuvendin e Beogradit.

Savo Manojlloviq tha se koalicioni “Kreni Promeni” nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve, për shkak të parregullsve të mëdha.

“Këto janë zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, tha ai të dielën në mbrëmje.

Pjesëmazrrja e votuesve në zgjedhje ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, pasi vlerësuan se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Vëzhguesit dhe partitë opozitare në zgjedhjet e së dielës raportuan për parregullsi të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

Misioni joqeveritar vëzhgues CRTA tha se i ka bërë shtatë ankesa penale për dyshimet se ka pasur parregullsi në qendrat e votimit. Vëshguesit e procesit kanë incizuar transportim të organizuar të votuesve në qendrat e votimit dhe raste të këmbimit të votës për para.

Anëtarët e opozitës raportuan se qendrat e thirrjeve u përdorën nga SNS-ja për t’i blerë votuesit dhe se ato përmbajnë lista alternative.

Zgjedhjet në Beograd u përsëritën për shkak se asnjë palë nuk arriti ta formojë shumicën në Asamblenë e Qytetit pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar. Raporti i forcave midis pozitës dhe opozitës ishte i barabartë, pavarësisht kritikave të ashpra të opozitës dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë për procesuin e zgjedhjeve.

(r.m.)