Prishtinë, 312 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nisi sot konsultimet me liderët e partive politike për caktimin e dates së zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Pas takimit u njoftua se liderëve të partive u janë ofruar katër data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, të cilat janë brenda afatit ligjor për zgjedhje të rregullta.
Liderët e tri partive kryesore të opozitës në Kosovë – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë thënë se kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen në javën e parë të afatit ligjor, më 26 janar 2025.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ai ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar të vitit 2025m, duke theksuar se për zgjedhje të rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme.
“Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se në takimin konsultativ me Presidenten Osmani janë ofruar katër data për zgjedhjet e rregullta parlamentare: e diela e fundit e janarit dhe tri të dielat e para të shkurtit të vitit të ardhshëm. Ai ka thënë se ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar, të dielën e fundit të muajit.
“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se ka propozuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 janar 2025. Sipas tij, të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe partitë tjera opozitare.
“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare.
Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk mori pjesë në takimin konsultativ me Presidenten Osmani. Sipas kabitetit të Kurtit, në kohën e këtij takimi Kurti ishte në një drekë me ambasadorët e akredituar në Kosovë, e cila ishte aranzhuar tri javë më parë.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, kishte shprehur gatishmërinë të merrte pjesë në takim, por zyra e Presidentes kishte shpjeguar se takimi ishte ftuar në nivel të kryetarëve të partive.
Sidoqoftë, kabineti i kryeministrit ka thënë se Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në këto takime “në një ditë dhe orë të përshtatshëm”.
Kryetari i partisë më të madhe të komunitetit serb, Listës Serbe, Zlatan Elek, nuk mori pjesë në takim. Nga kjo parti nuk i është kthyer kurrfarë përgjigje kabinetit të Presidentes Osmani.
(r.m.)