Shkup, 17 tetor 2021 – Partitë në pushtet në Maqedoninëe Veriut, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), presin fitore në zgjedhjet e sotme përkryetarë të komunave dhe për përbërjen e këshillave komunale. Ato kanë thënë se nga numërimi i deritashëm del se janë në epërsi në shumicën e komunave.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se kjo parti që në rrethin e parë ka fituar në tri komuna, ndërsa në komunat tjera janë në epërsi kandidatët e saj.
“Siç kam paralajmëruar edhe gjatë fushatës, pres që rezultatet të tregojnë një mbështetje të fortë të kandidatëve të BDI-së. Mund të konfirmoj se në raundin e parë BDI fiton në Saraj, Likovë dhe në Pllasnicë. Kurse jemi në epërsi në të gjitha komunat e vendit me dallim dy me një dhe diku me tre me një”, tha Osmani.
BDI-ja e ka vlerësuar demokratik dhe të qetë procesin zgjedhor. Osmani ka thënë se kjo “dëshmon se qeveria aktuale vazhdon të organizojë zgjedhje evropiane”.
LSDM-ja njoftoi gjithashtu për “rezultat pozitiv” të kandidatëve të saj në shumicën e komunave.
“Urojmë institucionet të cilat edhe një herë organizuan zgjedhje të lira dhe demokratike, ashtu siç i ngjan një shteti anëtar të NATO-së dhe kandidat për anëtarësim në BE. Kishte disa incidente të vogla, por ato u mënjanuan me kohë. Votimi biometrik ishte sfidë për ne, por e kapërcyem edhe këtë risi”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupco Nikollovski.
Sipas tij, të dhënat e para nga procesi i numërimit të votave flasin për një fitore të sigurt të LSDM-së
Por, VMRO DPMNE-ja në opozitë doli me akuza për deformim të procesit zgjedhor. Sipaskësaj partie,gjatë procesit të votimit kishte shumë parregullsi.
“Në pushtet kemi një grup të zhytur në krim dhe korrupsion. Prandaj, ne kishim zgjedhje me shumë parregullsi, prishje të procesit zgjedhor dhe veprime korruptive të qeverisë. Ne kemi vërejtur shkelje të heshtjes zgjedhore, kanosje, presion dhe shantazh nga mbajtës të posteve publike, ministra, keqpërdorim të burimeve shtetërore për qëllime partiake”, deklaroi Mile Lefkov nga VMRO DPMNE-ja.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se procesi i votimit ishte kryesisht i qetë dhe pa incidente që do ta cenonin besueshmërinë e zgjedhjeve.
Në gazrën për kryetarë të komunave garuan 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.
(r.m.)