Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë jep alarmin – Deri më tani, KQZ nuk ka ndërhyrë duke e lënë të lirë zhvillimin e fushatës zgjedhore jashtë çdo kriteri për matjen e minutazheve televizive apo shpenzimeve buxhetore
Nga Dardan Malaj
TIRANË – Partia Demokratike në mazhorancë dhe Partia Socialiste në opozitë po japin shembullin më të keq për respektimin e ligjit në Shqipëri. Në krye të dy prej koalicioneve më të mëdha garuese për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 23 Qershorit, krerët e këtyre kampeve kanë shkelur hapur ligjin elektoral.
Kodi Zgjedhor në nenin 77 të tij, përcakton qartazi kriteret për atë çka cilësohet periudha e fushatës dhe heshtjes zgjedhore. Juridikisht fushata fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Referuar këtij neni, do të duhej që fushata të niste në 24 Maj por partitë politike në qeverisje dhe në opozitë e kanë nisur atë shumë javë më herët.
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama kanë organizuar tubimet zgjedhore në pjesën më të madhe të qarqeve të vendit ku kanë prezantuar kandidatët për deputetë.
Koalicioni i Vëzhguesve vendorë në një deklaratë të fundit publike ngre shqetësimin se “mbarëvajtja dhe mbikëqyrja e kësaj fushate prej autoriteteve përgjegjëse del jashtë kontrollit, pasi ligji e rregullon këtë mbikëqyrje dhe monitorim vetëm për një muaj nga rreth 6 muaj fushatë të zhvilluar tashmë”.
Në këtë linjë, Koalicioni nxit dhe mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të vënë gjithë këtë proces në shina ligjore, duke marrë masa dhe vendosur sanksione administrative ndaj të gjitha subjekteve politike që kanë shkelur afatin e çeljes së fushatës zgjedhore.
Deri më tani, KQZ nuk ka ndërhyrë duke e lënë të lirë zhvillimin e fushatës zgjedhore jashtë çdo kriteri për matjen e minutazheve televizive apo shpenzimeve buxhetore.
Bordi i Monitorimit të Medias Audiovizive, i ngritur nga KQZ, funksionon vetëm bazuar mbi përcaktimin ligjor të fushatës. Element që u krijon mundësinë televizioneve të transmetojnë spote elektorale dhe aktivitete publike pa patur detyrim balancimin e hapësirës mes kampeve të ndryshme dhe mos diskriminim të subjekteve të vogla politike.
Një tjetër anomali që krijon nisja e fushatës zgjedhore në periudhën ekstraligjore ka të bëjë me shfrytëzimin e burimeve publike nga subjektet zgjedhore.
Kodi Zgjedhor vetëm në periudhën e fushatës zgjedhore, pra nga 24 Maji deri më 21 Qershor, parashikon se “.. nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor”.
Aktualisht nuk ekziston hapësira vepruese e ligjit nëse partive i përdorin burimet publike në periudhën përpara nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore çka e shton nivelin e abuzimit.
I vetmi hap pozitiv në këtë drejtim, i konstatuar edhe në zgjedhjet e kaluara është urdhri i kryeministrit për administratën që të mos përfshihet në fushatë.
Z.Sekretar i Përgjithshëm ora e fushatës elektorale po afron, duhet të sjellësh urdhrin e kryeministrit që ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar nga kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale, ky është rregulli standard që e kemi vendosur ne”, u shpreh Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Pavarësisht deklarimeve, vendi po hyn zyrtarisht në periudhën e fushatës ndërsa dy forcat politike e kanë dhënë tanimë provën për shkeljen e ligjit me të njëjtën lehtësi me të cilën në mënyrë konsensuale e kanë miratuar atë.