Pas takimit me Putinin, Macron shkon në Kiev

Kiev, 8 shkurt 2022 – Presidenti francez, Emmanuel Macron udhëton më 8 shkurt në Kiev, pas bisedimeve që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.

Macron ka thënë në një konferencë për media në Kremlin se ai ka bërë propozime për “garanci konkrete për siguri” për Putinin dhe se lideri rus e ka siguruar atë për “gatishmëri që të angazhohet në këtë drejtim dhe për dëshirën që të ketë stabilitet dhe integritet territorial në Ukrainë”.

Lideri francez ka thënë se ka gjetur disa pika të konvergjencës me Putinin, dhe ka shtuar se ditët në vijim do të jenë kyçe për situatën e krijuar nga pozicionimi i ushtrisë ruse afër Ukrainës.

Perëndimi dyshon se kjo situatë mund të rezultojë me pushtim të Ukrainës.

Macron ka deklaruar se i ka thënë Putinit që krijimi i një arkitekture të re për sigurinë në Evropë, nuk duhet të bëhet duhet anuluar të drejtën e shteteve për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka mbledhur mbi 100 mijë trupa afër kufirit me Ukrainën dhe është gati për të mbledhur një forcë prej 150 mijë ushtarësh për pushtim të plotë në mes të muajit.

Presidenca franceze ka thënë se propozimet e diskutuara përfshijnë një zotim nga Rusia dhe Perëndimi për të mos ndërmarrë veprime të reja ushtarake, për lansim të dialogut të ri strategjik dhe përpjekje për të ringjallur procesin e paqes në lindje të Ukrainës.

Putin ka thënë se Moska “do të bëjë gjithçka për të gjetur kompromise që i përshtaten secilit”, duke shtuar se propozimet e bëra nga Macron mund të krijojnë një bazë për të ecur përpara në krizën rreth Ukrainës.

“Disa ide, propozime… janë të mundshme si bazë për hapa të mëtejmë”, ka thënë Putin pas bisedimeve, të cilat i ka përshkruar si substanciale dhe të llojit biznesor, ndonëse Macron e ka pranuar se ende ekzistojnë dallimet.

Putin ka thënë se ai dhe Macron do të bisedojnë sërish përmes telefonit, pas negociatave të presidentit francez me udhëheqësinë ukrainase më 8 shkurt në Kiev.

Lideri rus e ka përsëritur se ai nuk sheh alternativë për marrëveshjet e Minskut, që synojnë t’i japin fund konfliktit në lindje të Ukrainës dhe që Kievi duhet të veprojë sipas këtyre marrëveshjeve të arritura më 2014 dhe 2015.

(REL)