Pasagjerët e nëndetëses “Titan” besohet se kanë vdekur

Londër, 22 qershor 2023 – Të pesë pasagjerët në bordin e nëndetëses së zhdukur “Titan” besohet se kanë vdekur, sipas operatorit të anijes “OceanGate”, shkruan BBC.

Në një deklaratë, kompania ka thënë se pesë burrat ishin “eksplorues të vërtetë që kishin një frymë të veçantë aventure”.

Vdekja e tyre besohet se ka ndodhur në atë që Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka quajtur shpërthim katastrofik, duke u bazuar në mbeturinat e gjetura të nëndetëses.

Kundëradmirali amerikan, John Mauger, tha se koni i bishtit të nëndetëses “Titan” u gjet këtë mëngjes, afërsisht 1.600 metra larg harkut të rrënojave të “Titanikut”, drejt të cilave ishte nisur nëndedetësja.

Dhe, ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën mbeturina shtesë, që përkojnë me humbje katastrofike të dhomës së presionit.

Familjet e pesë pasagjerëve të “Titanit” janë njoftuar menjëherë.

Zyrtarët e Rojës Bregdetare të SHBA-së thanë se mjetet për operim nga distanca, që punojnë në shtratin e detit rreth “Titanikut”, i fundosur më 1912, do të qëndrojnë aty.

Roja Bregdetare e SHBA-së thotë se ata janë ende duke punuar në zbardhjen e incidentit.

Është një “mjedis tepër kompleks” në fundin e detit, 2 milje nën sipërfaqe, tha Mauger, i cili shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të ndjerëve.

Zyrtarët thonë se pesë pjesë të mëdha janë zbuluar midis rrënojave që rrethojnë vendin e “Titanikut”. Midis tyre, koni hundor, jashtë gypit të presionit dhe një fushë më e madhe mbeturinash.

Mauger nuk mund të konfirmonte nëse Roja Bregdetare e SHBA-së do të ishte në gjendje të nxirrte trupat e pesë pasagjerëve në bordin e nëndetëses “Titan”.

“Ky është një mjedis tepër i pamëshirshëm”, shtoi ai.

Vendi i përplasjes fatale besohet të jetë 1.600 këmbë (487 metra) nga harku i rrënojave të “Titanikut”.

Ndodhet në një zonë ku nuk ka mbetje të “Titanikut”.

Roja Bregdetare e SHBA-së do të vazhdojë të hetojë vendndodhjen e rrënojave.

(REL)