Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kuqezi, Muslym Pashaj ka zyrtarizuar dorëheqjen nga kjo forcë politike.
I kontaktuar nga Top Channel, Pashaj konfirmoi dorëheqjen që e ka bërë zyrtare edhe përpara sekretariatit të AK, i mbledhur paradite.
Menjëherë nga publikimi i listave të kandidatëve të Aleancës Kuqezi, ku Muslym Pashaj, një nga emrat më me peshë në këtë parti, nuk ishte përfshirë, u përfol largimi i tij nga forca politike e drejtuar nga Kreshnik Spahiu.
Ish-sekretari i përgjithshëm i AK, emri i të cilit mban kontributin e madh të denoncimit të marrëveshjes për ujërat me Greqinë, ku qeveria shqiptare i falte kësaj të fundit qindra kilometra nga kufiri ynë ujor, e kishte paralajmëruar largimin edhe një ditë më parë në profilin e tij në internet.
Ai shkruante se Spahiu kishte përdorur emrin e tij dhe duke iu drejtuar këtij të fundit i bënte thirrje që të hiqte dorë nga keqpërdorimi i patriotizmit të tij.
“Mos, Kreshnik, se të mallkon patriotizmi im. Unë isha në Fier te bashkësia jote idealiste, por jo tek ti. Po ç’mund të jetë vallë ajo histeri?”, shkruante Muslym Pashaj për kreun e AK, i cili sipas tij shiti idealet dhe kauzën mbi të cilat Aleanca Kuqezi u ngrit.
Dorëheqja e Pashajt mësohet se është pasuar edhe nga drejtues të tjerë të strukturave të kesaj force politike, duke u rudhur në struktura dhe drejtues.