Paskal Milo: Rama sjell Erdoganin në Tiranë ditën e vdekjes së Skënderbeut

Historiani Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale, zbuloi një fakt interesant në lidhje me vizitën e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, në Tiranë.

Milo tha se data 17 janar e vizitës së Erdogan në Shqipëri përkon me ditën e vdekjes së prijësit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane:

“Vizita e Erdogan në Shqipëri vjen në ditën që ka vdekur Skënderbeu. Nuk e di nëse kjo ka një lidhje, apo është rastësi”, tha ai për MCN TV.

Lidhur me shtrirjen e aktiviteteve e turke në Shqipëri, Milo tha se Turqia është një fuqi rajonale dhe për të është e rëndësishme që të ushtrojë aktivitetin e saj në Ballkanin Perëndimor, por duke qëndruar brenda marrëveshjeve me NATO dhe SHBA.

 

 

“Turqia është një fuqi rajonale që ka pretendime të mëdha dhe mbështetur në traditën historike të Turqisë, patjetër që ndan me shqiptarët dhe popullsi të tjera një histori të përbashkët.

Si e tillë BP ka një rëndësi për Turqinë për gjeopolitikën rajonale. Ajo e sheh Ballkanin si një sferë ku mund të ushtrojë aktivitetin e vet. Çështjet e karakterit strategjik janë, por duhet të mos dalin jashtë marrëdhënieve me NATO dhe SHBA”, tha Milo.

Ndërkohë gazetari shqiptar me bazë në Turqi, Abdylvehap Ejupi konfirmoi vizitën e presidentit turk në Shqipëri më datë 17 janar. Ejupi tha se sipas tij temë diskutimi mes dy liderëve, Erdogan dhe Rama, do të jetë dhe vaksina turke e miratuar disa ditë më parë.

“Po, Erdogan do të jetë në Shqipëri më 17 janar. Çdo herë problemi i FETO është e vazhdueshëm, por nuk mund të ndikojë në marrëdhënien mes dy vendeve. Do të diskutohet dhe vaksina Turkovac dhe Shqipëria mund të jetë e para që të marrë atë, falas”, u shpreh Ejupi.

BalkanWeb