President Barack Obama shënoi sot Ditën e Përkujtimit në SHBA, duke vendosur lule në Varrin e Ushtarëve të Panjohur në Varrezën Kombëtare në Arlington, Virginia.
Vetëm pak orë më parë ai kishte udhëtuar në Afganistan për të takuar trupat amerikane të dislokuara aty duke paralajmëruar momentin e kthesës në vendin e largët ku angazhimi ushtaral amerikan është duke shkuar drejt fundit.
Presidenti Obama i quajti dëshmorët e ushtrisë amerikane, patriotë që bënë sakrificën më të madhe për vendin e tyre.
Shumë prej nesh nuk mund ta provojnë dot kurrë guximin dhe sakrificën e prindërve dhe njerëzve të dashur të tyre në mbarë Amerikën që kanë humbur në luftë fëmijën, bashkëshortin, vëllain, motrën apo një mik të afërt.
Kjo festë kombëtare amerikane vjen në një moment jo shumë të përshtatshëm për administratën e Presidentit Obama. Prej ditësh është zbuluar një skandal në Departamentin e Veteranëve që konsiston kryesisht në punë të dobët dhe të pakujdesshme që ka sjellë vonesën e trajtimeve mjekësore që u takojnë me ligj veteranëve duke shkaktuar në disa raste edhe vdekjen e tyre në Arizona.
Presidenti Obama e përmendi shkarazi situatën e krijuar dhe theksoi se vendi ua ka për borxh veteranëve të tij që t’u japë përkujdesin që meritojnë dhe për të cilin kanë nevojë.
“Zoti i bekoftë të rënët dhe të gjithë ata që kanë shërbyer dhe pastë kujdes për familjet e tyre”, tha në mbyllje kreu i Shtëpisë së Bardhë. (Viktoria Paloka/Illyria)