Një bisedë me autoren Rrezearta Reka Thaqi, pas botimit të librit të ri “KRONIKË NË ZEMËR – Këto ishin të 90-tat”
Nga Ruben Avxhiu
Përshëndetje, së pari urime për botimin e librit tuaj të ri, “Kronikë në zemër: këto ishin të ’90-tat”. Kam një kuriozitet të madh për libra të tillë, sidomos për atë periudhë. Për shumë arsye ishte një dekadë kritike për historinë dhe fatin e Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Por mënyra se si e mbajmë mend dhe si e tregojmë ndryshon. Në çfarë forme dhe si paraqitet kjo dekadë në librin tuaj?
Fillimisht, ju falemnderit për mundësinë që t’i afrohem lexuesit të gazetës Illyria, bashkëkombasve të mi, sigurisht një pjesë e tyre edhe bashkëkohës të ngjarjeve e përjetimeve të reflektuara në librin tim. Dekada e viteve të ’90-ta ishte një dekadë që la gjurmë jo vetëm të unë personalisht, dhe te shqiptarët kombëtarisht, por edhe në përgjithësi, për botën. Po flasim për një periudhë të rëndësishme historike dhe politike, të ndryshimeve të mëdha të regjimeve, shpërbërjes së strukturave shtetërore, dhe tragjikisht, i luftërave në Ballkan: të parat pas shumë viteve paqë që nga lufta e dytë botërore.
Mbamendja është një prej frymëzimeve kryesore të krejt narrativave qoftë fiktive, letrare apo edhe historiografike. Sidomos për shqiptarët, kjo mbamendje ka shërbyer si një histori gojore e cila i ka qëndruar sundimeve të njëpasnjëshme, për të arritur pastaj të rrëfehet historia ashtu si e mbajmë në mend.
Në librin tim ndërkaq, kjo dekadë paraqitet përmes ditarëve origjinal të cilat unë i kisha shkruajtur përgjatë viteve, duke i ruajtur me fanatizëm pavarësisht lëvizjeve qoftë të dhunshme gjatë luftës së vitit 1999, dhe pas kthimit në Kosovën e ҫliruar, por edhe gjatë lëvizjeve ndër vite, kur ne po ndërtonim jetërat tona në liri. Pjesët e ditarit të përfshira në libër janë tërësisht të pa-redaktuara, për shkak se doja që lexuesit të ndjejnë sa më shumë emocionin e papërpunuar dhe të vrazhdë të cilin e kisha ndjerë unë në atë kohë, si një vajzë 19 vjeҫare. Në librin tim, unë flas për dëbimin me dhunë të prindërve tonë nga puna, për segregacionin në shkolla, për shkollat-shtëpi në pamundësi të zhvillonim mësimin në objektet tona mësimore, për demonstratat paqësore që përfundonin me dhunën e egër të forcave policore, për luftën dhe sakrificën e UҪK-së, për dëbimin me dhunë nga shtëpitë dhe kampet e refugjatëve, dhe për ҫlirimin dhe ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Në librin tim unë rrë fej edhe pë r dashurinë , për zemrat e thyera, për normalitetin që ne e sajonin ditë e përditë , mbase për të mbijetuar. Në të njëjtën kohë, kam reflektuar edhe nga konteksti i sotëm kohor dhe historik, por gjithnjë duke i qëndruar besnike fakteve të cilat ruhen në ditarët personalë.
Pavarësisht sfidave dhe vështirësive, aparthejdit, unë sot i kujtoj vitet e ’90-ta si periudhë e artë kombëtare, për shkak se atëbotë, dhamë një shembull të pashoq qëndrese, solidariteti dhe mbijetese. Prandaj do të doja që edhe lexuesit ta përjetojnë këtë rrëfim në këtë dritë: ky është një rrëfim i qëndresës, mbijetesës dhe triumfit, përkundër gjithҫkaje.
Pra është shkruar një pjesë e materialit të këtij libri në atë kohë dhe më vonë janë shtuar reflektime gjatë viteve? Si ka qenë procesi i shkrimit?
Unë sikur e kisha shkruajtur këtë libër qysh moti, në kokën dhe zemrën time, prandaj edhe titulli. Pavarësisht që në kohën kur kisha mbajtur ditarin, unë asnjëherë as që e kisha menduar se një ditë do të botoheshin këto rrëfime. Kjo për arsye se gjatë atyre viteve, e ardhmja ishte vetëm deri nesër, ani që ne ëndërronim ҫdo ditë lirinë. Në kuptimin stilistik, rrëfimet përcjellin dy kohë: të kaluarën dhe të tashmen. E kaluara ilustrohet me ditarët origjinalë të paredaktuar, për shkak të autenticitetit, ndërkaq, rrëfimet e tjera janë të kohës së sotme, mirëpo gjithnjë duke kujtuar të kaluarën.
Për shkak që rrëfimet janë personale, procesi i shkrimit ka qenë jashtëzakonisht emocional. Kisha menduar që pas 25 viteve do ta kemi arritur paqën me përjetimet e viteve të ’90-ta, mirëpo shkrimin e këtij libri e kam përjetuar si një lloj catharsis që ishte mbase i nevojshëm. Dhe është interesant që edhe lexuesit, e sidomos ata që i takojnë të njëjtës gjeneratë, kanë ndjerë nostalgjinë e thellë, por edhe emocionet e fuqishme, po aq sa unë, pikërisht për shkak të referencave kulturore dhe historike të asaj kohe.
Kosova, mbase ashtu si vende e shoqëri të tjera para saj me periudhat e tyre kritike, ka një raport të dyzuar me dekadën e viteve 90. Nga një anë ngjan sikur është një dekadë që nuk do të mbarojë kurrë. Me njerëz që tregojnë e ritregojnë pambarim ngjarjet e asaj kohe, dhe nuk dalin dot prej tyre. Ka arsye serioze për këtë sigurisht. Dhe nga ana tjetër me njerëz që jetojnë sikur nuk ka ndodhur kurrë e si rrjedhim humbasin mësime e paralajmërime të rëndësishme që burojnë prej saj. Ju si e shihni raportin e shoqërisë së Kosovës me këtë të kaluar të saj të afërt?
Kujtoj që raportet e një kombi me historinë përcaktohen nga shumë faktorë, e ndër to, edhe kultura e përgjithshme. Për shkak të proceseve të vrullshme politike, mendoj që nuk e kemi pasur kurrë kohën e mjaftueshme për të marr frymë dhe për të reflektuar në qetësi për ato që kanë ndodhur. Dhe jo vetëm në planin individual. Ne dhe sot nuk kemi një adresë të caktuar të kujtesës kolektive, ku njerëzit do të mund të ndanin me të tjerët përvojat, reliktet pse jo edhe ditarët e kohës.
Në anën tjetër, të goditur rëndë nga lufta, e të zënë me krijimin e jetës të lirë, në Kosovën e pas-luftës, ne ishim mbi të gjitha mirënjohës që kishim mbijetuar dhe prandaj, nuk flisnim shumë për të kaluarën. Madje edhe gjatë bisedave mes miqsh, sa herë flisnim për ndonjë ngjarje të asaj kohe, nuk zgjaste shumë dhe e gjitha përfundonte me “me rëndësi kemi shpëtu, mirë jemi”. Mirëpo, duke u nisur nga përvoja me dy fëmijët e mi, planprogrami arsimor lë shumë për të dëshiruar sidomos për qasjen që ka në spjegimin dhe ligjërimin për periudhën e viteve të ’90-ta. Po e ilustroj gjithë këtë edhe me një shembull të cilin e përmendi edhe në fillim të librit tim.
Ishim me familjen në makinë dhe po shkonim në një ndeshje futbolli ku do të luante biri im. Fusha sportive gjendej në Kishnicë dhe duhej të arrinim aty përmes Graҫanicës. Fëmijët po shikonin flamuj dhe simbole serbe nga dritaret, dhe derisa po përpiqesha t’ju sqaroja se pse ishin aty, të dy, pothuajse njëzëri më pyetën: “E kur ka nis lufta?” Unë nuk kisha një datë të caktuar për t’ju thënë. Sepse për mua lufta kishte nisur shumë moti, qysh se kisha lindur. Prandaj, vendosa që të shkruaj këtë libër: t’ju rrëfej të tjerëve për një periudhë për të cilën nuk flitet shpesh.
Si mund të kontribuojë ky libër në mënyrën se si e ruajnë apo rindërtojnë kujtesën personale dhe kolektive shqiptarët në Kosovë e përtej?
Kujtesa, qoftë personale apo edhe kolektive, është pjesë e pandashme e identitetit kombëtar. Është ngushtë e lidhur me historinë, e cila është një nga elementet më të fuqishme që lidh një komb, në një identitet të vetëm e unik. Uroj që librat si ky, krahas librave historik e faktografik, ta sjellin këtë periudhë historike sa më afër lexuesve, posaqërisht gjeneratave më të reja, që nuk u janë ekspozuar drejtëpërsëdrejti këtyre ngjarjeve. Siҫ e thash dhe më lartë, kjo periudhë historike, ishte e jashtëzakonshme, sigurisht fal njerëzve të jashtëzakonshëm. Mendoj që i detyrohemi historisë dhe sakrificës së këtyre njerëzve që mos ta shuajmë rrëfimin për atë kohë asnjëherë. Ju kemi borxh të rinjëve dhe të rejave t’ju flasim dhe t’ju rrëfejmë për atë kohë, që për mua mbetet e lavdishme. Kjo për të mos harruar ato që ndodhën në Kosovë, si një simbol nderi që na përcjell derisa të lirë, ndërtojmë të ardhmen.
Kush mendoni se do të jenë lexuesit të të shumtë të këtij libri? Për kë është shkruar në veçanti ai?
Libri ka një publik të gjerë lexuesish. Janë bashkëkohësit e mi që e përjetojnë librin me shumë nostalgji, shumica prej tyre edhe personazhe të librit, janë prindërit tonë që poashtu gjejnë vetën në këto rrëfime, por janë edhe të rinjtë e të rejat, që pos si krijim letrar, mbase do ta lexojnë librin si një histori pak më ndryshe nga ato që mësojnë në shkolla. Madje edhe gjuha e përdorur është një amalgam i shqipes standarde dhe të folurës së përditshme, për tu afruar sa më shumë me lexuesin.
Mua më duket se ka ende një interes të shëndetshëm për librin në Kosovë. Cilat kanë qenë mbresat tuaja nga panairi më i fundit i librit në Kosovë?
Interesimi për librin në Kosovë, po përcjell trendet e të lexuarit në nivel botëror. Derisa pajtohem që akoma ka një interesim të shëndetshëm për librin, megjithatë jam e brengosur se edhe sa gjatë do të mund ta ruajmë këtë interesim. Libri sot është në një konkurrencë të ashpër me teknologjinë. Përmbajta që ofrojnë rrjetet sociale janë të aty për atyshme, të shpejta, në dëm të vëmendjes dhe përqëndrimit. Të lexuarit do durim, ashtu që secili të përjetojë dhe rikrijojë më pas përmbajtjen. Të lexuarit ushqen krijimtarinë, përsos mendjet dhe ndjell dëshirën për të ditur edhe më shumë. Por sot, kam frikë që të rinjëve gjithnjë e më tepër po ju soset durimi për të lexuar, dhe këtu kujtoj, duhet të bëhet më shumë në nivel institucional.
Për mua ishte hera e parë në panairin e librit si autore, pavarësisht që në vitet e mëparshme isha vizitore e rregullt. Siҫ e thash më lartë, Kosova nuk bën përjashtim nga trendet botërore. Por, kjo nuk do të thot që duhet të rrijmë duarkryq. Përkundrazi, duhen politika të mira arsimore dhe kulturore të cilat i bëjnë ballë trendeve dhe kultivojnë dëshirën për të lexuar. Sa më shumë panaire, sa më shumë qasje për lexuesit, organizim më i mirë, sigurisht. Por edhe duhet këmbëngulur që librit ti jipet hapësirë më e madhe mediale, duke përfshirë edhe mediat sociale. Gjithashtu, duhet theksuar që duhet të ketë komunikim më të mirë midis botuesve, librarive dhe autorëve. Mundësitë më të mira për tu promovuar titujtë e ri besoj do të shërbenin edhe në afrim më të mirë me lexuesit.
Ku mund ta gjejnë librin të interesuarit? A do të shkojë ai edhe në trevat e tjera shqiptare duke nisur edhe nga libraritë në Tiranë etj?
Librin, që përndryshe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Littera, lexuesit mund ta gjejnë në librarinë Dukagjini në Prishtinë. Një pjesë e librave janë dhuruar dhe falas gjatë promovimit të librit, me idenë që libri të jetë në duartë e sa më shumë lexuesve. Dëshira ime është që libri të udhëtojë edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo që ka lexues shqiptarë, dhe shpresoj që këtë të mund ta arrijmë së shpejti.