Tiranë, 11 janar 2022 – Partia Demokratike ua ka dërguar selive diplomatike një raport të detajuar për dhunën që u ushtrua gjatë protestës së mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Bersha në selinë e PD-së nëTiranë, më 8 janar.
“Deputeti Sali Berisha sulmoi brutalisht dhe në mënyrë të paprecedentë selinë blu me qëllimin largimin me forcë të kryedemokratit Lulzim Basha”, theksohet në raport.
“Në video ngrihen dyshime për bashkëpunimin dhe rolin e Sali Berishës duke orkestruar këtë dhunë të paprecedentë në selinë blu. Berisha deklaron në media se nuk ka dhunë nga mbështetësit e tij, ndërsa filmohet nga ato bërë gjestin e dorës për t’u mbledhur para hyrjes kryesore dhe vetëm pak minuta më vonë turma sulmon në mënyrë të paprecedentë godinë duke thyer dyer e dritare”, thuhet në raportin e PD-së.
Në raportin prej 8 faqesh, tëcilin e ka siguruar “Panorama”, Partia Demokratike përshkruan në mënyrë kronologjike detajet e akteve të dhunshme para godinës së selisë blu. Ndër aktet e rënda të protestës përfshihen dhuna ndaj sekretarit të PD-së për Pushtetin Vendor, Roland Bejko, dhe kërcënimet ndaj nënkryetarit të Kuvendit, Enkeleld Alibeaj, i cili u mor në mbrojtje nga Garda e Republikës.
“Një orë para nisjes zyrtare të protestës së thirrur nga Berisha, disa mbështetës të tij sulmuan fizikisht dhe verbalisht sekretarin e PD-së për Zhvillimin Vendor Roland Bejko, në prani të gjerë të mediave dhe kamerave. Gjithashtu nënkryetari i PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare pasi u sulmua dhe u kërcënua me jetë nga persona të mbledhur sot në protestën e thirrur nga Berisha”, thuhet në raport.
Ndër shqetësimet e PD-së është dhe reagimi i prokurorisë dhe Policisë së Shtetit pas protestës.
“Pas mbylljes së konferencës për shtyp nga zoti Basha dhe kur përfaqësuesit e PD-së nisën të largoheshin nga selia e partisë, oficerët e policisë iniciuan sërish ndalimin dhe shoqërimin e tyre në komisariat. Ndër personat e ndaluar nga policia nuk kanë qenë vetëm përfaqësues të PD, deputetë por edhe media e gazetarë. Reagimi i menjëhershëm ka ardhur nga sekretari i Përgjithshëm, Bardhi i cili e dënoi këtë lëvizje të policisë dhe kërkoi shpjegime se pse përfaqësuesit e PD-së u morën për herë të dytë në pyetje, ndërkohë që kishin dëshmuar njëherë”, thuhet në raportin e PD-së dërguar ambasadave tëhuaja në Shqipëri.
Kryesia e Partisë Demokratike, sot në mëngjes, vendosi për përjashtimin nga partia të Sali Berishës dhe të përkrahësve të tij më të afërt. Për 19 figura të tjera, të rreshtuara në krah të Berishës, është marrë vendim për pezullim të përkohshëm, masë kjo që është cilësuar si mundësi për rikthim në PD.
(r.m.)