Tiranë, 25 tetor 2021 – Në Shqipëri Partia Demokratike iu drejtua sot Gjykatës Kushtetuese për të anulluar vendimin e parlamentit, i cili rrëzoi me votat e shumicës kërkesën e tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për “Çështjen Becchetti”, sipërmarrësit italian i cili hodhi në gjyq, qeverinë shqiptare për mbylljen e aktiviteteteve të tij në Shqipëri, mes të cilave dhe televizioni “Agon Channel”.
Partia demokratike i referohet Kushtetutës e cila përcakton se “me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, parlamenti është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”, e për pasojë refuzimi për Komisionin hetimor i ka mohuar asaj një të drejtë kushtetuese
Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një gjykatë arbitrazhi, ka vendosur të dënojë Shqipërinë me 120 milion euro, pasi gjykoi se mbyllja e televizionit “Agon Channel”, ishte “e motivuar politikisht”. ICSID-ja rrëzoi në muajin prill ankimimin e Shqipërisë për anullimin e vendimit.
Në muajin maj të këtij viti, përmes Avokatit të Shtetit, Shqipëria ndërmorri një tjetër përpjekje në maj të këtij viti.
Opozita bën përgjegjëse qeverinë për këtë faturë që do të duhet të paguajë shtetit shqiptar. “120 mln euro i Arbitrazhit Ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë që ta paguajnë shqiptarët, ku shkaktar është Rama dhe keqqeverisja, për shkak të faktit të thjeshtë se politika merr hak politikisht ndaj një media, ndaj një investitori etj, etj. pra shkaktar janë ata, duke influencuar edhe tek gjykata shqiptare, të cilat në përfundim marrin vendime që ndëshkohen nga gjykatat”, deklaroi sot në dalje nga Gjykata Kushtetuese, deputetja demokrate Grida Duma.
Shumica refuzoi komisionin hetimor me argumentin se vendimi i ICSID-së mbrohet nga konfidencialiteti që është detyrues për vendin. Kryeministri Edi Rama gati 10 ditë më parë, e motivoi rrëzimin e kërkesës së opozitës me argumentat se sipas tij “komisioni hetimor shkel parimet kushtetuese, të drejtën ndërkombëtare, si dhe dëmton drejtpërdrejtë interesat e Shqipërisë”.
Opozita thotë se ruajtja e konfidencialitetit nuk qëndron si argument përsa kohë vendimi gjendet i publikuar online.
Ligji për Komisionet hetimore parashikon se “Parlamenti nuk mund të vendosë kufizime në objektin e punës së Komisionit… përveç rasteve kur nga rrethanat gjykohet se kërkesa përmban elemente të shkeljes së Kushtetutës”.
(Zëri i Amerikës)