PD njofton policinë për protestën e 11 shkurtit, parashikon 100 mijë protestues

Tiranë, 9 shkurt 2023 – Partia Demokratike (PD) e ka dorëzuar në polici njoftimin për mbajtjen e protestës më 11 shkurt, në Tiranë.

Ajo parashikon që në protestë të marrin pjesë 80 mijë deri 100 mijë protestues dhe jep detaje për vendosjen e protestuesve dhe të organizatorëvr.

PD shpjegon se protesta shpreh kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili thuhet se “ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë”.

Protesta do të nisë në orën 12:00, por nuk specifikohet se sa do të zgjasë ajo.

“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë. Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;

Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Në njoftim bëhet e ditur se foltorja do të vendoset në Bulevardin e Dëshmorëve, përballë Kryeministrisë, dhe se aty do të flasin drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Njoftimi i plotë:

Lënda: Njoftim për mbajtje proteste,

Drejtuar:

  1. TONIN VOCAJ

DREJTUES I PARË, DREJTORIA VENDORE E POLICISË, TIRANË

I nderuar z. Vocaj,

Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë.

  • Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;
  • Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit,
  • Foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë.
  • Personat që do të flasin në protestë do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
  • Grupi i personave ndihmës për mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona me moshë mbi 18 vjeç, të pajisur me shenjat dalluese, shirit i bardhe me mbishkrimin PMT.

Person përgjegjës do të jetë z Ervin Minarolli, Sekretar Organizativ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, cel 0672030212, adresa Selia e PDSH Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 11, Tirane. Sa më sipër, njoftimi i aktivitetit për dijeninë tuaj në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit.

Duke ju falenderuar paraprakisht.

SEKRETARI ORGANIZATIV

Ervin Minarolli

Leje Ne Polici

(r.m.)