PD përgëzon SPAK-un për pandehjen e kryebashkiakut të Mallakastrës

Partia Demokratike ka reaguar pas marrjes të pandehur të kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj. Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi e cilëson një akt të mirëpritur drejt pastrimit të politikës dhe thotë se PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve me kallësimin e saj.

Sipas tij, Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin dhe ky model duhet zhbërë përmes vettingut në politikë.

 
“Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumente se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve. Ne i qëndrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin.
Të zgjedhurit në parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin. Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet.
#vettingnëpolitikë”, deklaron Bardhi.