Zgjedhjet 2013 – Socialistët me 20 sipërmarrës, demokratët me 10
Nga Aristir Lumezi
Zgjedhjet e 23 qershorit veçohen dhe për garën mes dy partive të mëdha PD e PS për të përfshirë në listat e tyre sa më shumë biznesmenë. Ndryshe nga legjislatura aktuale, socialistët kanë rritur numrin e sipërmarrësve në listat e saj me gjashtë më shumë. Edhe PD e ka rritur përfaqësimin e tyre në listat e saj, por është shumë më pak se socialistët në opozitë.
Nevojën e biznesmenëve në lista e tregon dhe fushata zgjedhore e cila ka nisur shumë më herët në këto zgjedhje, duke rritur kostot e vetë fushatës.
Socialistët që kërkojnë të fitojnë këto zgjedhje me çdo çmim, duke i krahasuar për nga rëndësia zgjedhjet e 23 qershorit të ngjashme me ato të 1992, kur në Shqipëri ndodhi përmbysja e sistemit komunist, kanë përqendruar numrin më të madh të biznesmenëve në listat e veriut. Janë pikërisht këto zona ku socialistët kërkojnë të bëjnë dhe diferencën në numrin e mandateve.
Numri i madh i biznesmenëve në radhët e PS-së lidhet dhe me faktin e përqafimit nga ana e tyre e taksës progresive që kjo parti ka në programin e saj, sipas së cilës ai që fiton më shumë, do paguajë më shumë. Dominimi i tyre vihet re në disa qarqe të rëndësishme ku pritet të bëhet ndryshimi, ose të rritet diferenca mes dy kampeve.
Socialistët dominojnë me emra të rëndësishëm nga bota e biznesit në qarkun e Shkodrës edhe për shkak të prejardhjes së kandidatëve, përballë Partisë Demokratike. Tom Doshi, Paulin Sterkaj, Sait Fishta por dhe Zef Çuni janë kandidatët socialistë që vijnë 100% nga bota e biznesit e ku janë të suksesshëm. Partia Demokratike në këtë qark figuron me biznesmenin e njohur, deputetin aktual Gjok Uldedaj.
Po ashtu dhe në qarkun e Tiranës nuk janë të paktë kandidatët që merren me biznes në Partinë Socialiste. Sadri Abazi, biznesmeni i njohur që ka qenë dhe në 2009-n, mbetet një pikë e fortë në zonat që ai mbulon me të ardhurit nga Veriu, bashkë me sipërmarrës të tjerë si Rakip Suli, i cili mbulon zonën e Kamzës dhe Bathores. Sipërmarrës i suksesshëm është dhe Parid Cara, kandidati i Kavajës, i cili ka biznese të suksesshme në Itali bashkë me vëllezërit e tij. Artan Gaçi dhe Sadi Vorpsi janë sipërmarrës të tjerë në qarkun e Tiranës. Në këtë qark PD nuk ka asnjë biznesmen në listën e saj për deputetë.
Një tjetër qark i vlerësuar shumë nga PS është dhe qarku i Vlorës. Socialistët kanë në këtë qark biznesmenin dhe botuesin e njohur Koço Kokëdhima, por dhe botuesin e shtëpisë botuese “To Ena”, Fatmir Toçi. Po ashtu dhe aleati i PS, Andrea Marto, që është pjesë e listës së socialistëve në këtë qark, figuron sipërmarrës i suksesshëm.
Në qarkun e Lezhës, kandidati i PS-së, Eduart Ndocaj, sipërmarrës i suksesshëm në Itali, do të përballet me dy sipërmarrës në listën e PD-së, Gjovalin Kadelin dhe Mhill Fufin. Një tjetër biznesmen i suksesshëm është dhe Vladimir Kosta në qarkun e Gjirokastrës, i cili mbulon rrethin e Përmetit. Ndërsa në qarkun e Fierit, të dyja kampet kanë nga një biznesmen në listat e tyre, Majlinda Bufin nga Partia Socialiste dhe Kozma Dashin nga Partia Demokratike.