Tiranë, 9 maj 2023 – Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, bëri të ditur të martën se disa subjekte zgjedhore nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre për të propozuar anëtarë në qindra qendra të votimit, të cilat mbeten ende të pambuluara për zgjedhjet vendore që mbahen të dielën, më 14 maj.
Partia Demokratike (PD) nuk ka dërguar propozime për 422 qendra të votimit, Partia Socialdemokrate (PSD) për 415 qendra të votimit dhe Partia e Lirisë për 75 qendra të votimit.
“Nëse partitë politike që e kanë këtë të drejtë do të dështojnë për të sjellë propozime, do t’i kalojnë partisë që ka të drejtë të të njëjtit spektër politik. Nëse dështojmë, atëherë do t’i emërojmë kryesisht”, tha Celibashi.
Para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të marrë masa për t’i plotësuar komisionet e qendrave të votimit me anëtarë që kanë aplikuar në Komisionet Zonale Zgjedhore, e drejta për vendet e anëtarëve të PSD-së do t’i jepet Partisë Socialiste si parti aleate, ndërsa vendet e PD-së mund t’i marrë një parti tjetër e opozitës, Partia e Lirisë, Partia për Drejtësi ose Unitet dhe Integrim.
Celibashi tha se në KQZ janë dorëzuar 600 aplikime për komisionerë.
Proceset e mëparshme zgjedhore kanë treguar se partitë politike nuk i plotësojnë afatet ligjore për emërimet e komisionerëve ose i zëvendësojnë ata në momentin fundit, shpesh edhe në mëngjesin e ditës së votimit.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Indrit Sefa, i tha BIRN-it se propozimet i çojnë degët vendore të partisë dhe se kështu kishte ndodhur gjithmonë.
“Tri ditë përpara dërgohen”, tha Sefa.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi të martën një aplikacion të ri, nëpërmjet të cilit çdo qytetar mund të raportojë problemet që vëren në qendrën e tij të votimit, ditën e zgjedhjeve.
Celibashi tha se aplikacioni do të shërbejë si platformë komunikimi mes KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore për të raportuar mbi ecurinë e procesit të votimit dhe procesit të numërimit të votave.
(r.m.)