PDK: Besnik Bislimi e provokoi situatën në Kuvend, e goditi deputetin Lushtaku me shishe uji

Prishtinë, 13 korrik 2023 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas përleshjes që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Në reagimin e saj thuhet se fajtor për situatën e krijuar ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Sipas kësaj partie, Bislimi e ka provokuar duke goditur me shishe të ujit deputetin Mërgim Lushtaku

“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radoiçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.Madje, ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku”, thuhet në komunikatë.

PDK ka fajësuar edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, për shkak se thirri policinë të ndërhyjë në Kuvend dhe të arrestojnë deputetwt e opozitws.

“Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejojë atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet në vazhdim tw komunikatws.

PDK thekson se tani “është e qartë” se kjo qeveri “duhet të shkojë në shtëpi një orë e më parë”.

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Milan Radoiçiqin, po përdor çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe as njëlloj kredibiliteti. Një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkoj në shtëpi një orë e më parë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një Qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në fund të komunikatës.

(r.m.)