PDK e LDK do t’i dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për KPK-në dhe Ligjin për KPM-në

Prishtinë, 11 korrik 2024 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar se do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve (KPM).

Këto dy  ligje u miratuan të enjten nga shumica e cilësuar në Kuvendin e Kosovës, në votimet që u bojkotuan nga deputetët e opozitës.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka vlerësuar miratimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, si goditje për demokracinë.

Në një shkrim në Facebook, ai e ka cilësuar miratimin e ligjeve si “vazhdimësi të mentalitetit autoritar dhe antikushtetues të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime. Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual”, ka shkruar ai.

Edhe LDK-ja ka paralajmëruar dërgimin e këtyre dy ligjeve në Gjykatën Kushtetuese. Kjo parti vlerëson se miratimi i këtyre dy ligjeve, siç thotë ajo, “ shpërfaq tendencën e kapjes antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”.

“Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës. Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

(r.m.)