PDK i përjashton tre anëtarë të saj që bashkëpunuan me VV-në

Prishtinë, 25 gusht 2023 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) njoftoi të premten se ka përjashtuar tre anëtarë të saj, të cilët ka thënë se e kanë shkelur vendimin e Këshillit Drejtues për të pezulluar çdo komunikim zyrtar dhe bashkëpunim institucional me kryeministrin Albin Kurti, me presidenten Vjosa Osmani dhe me Lëvizjen Vetëvendosje.

Tre të përjashtuarit, Leonora Morina – Bunjaku, Enver Shabani dhe Bajram Isufi, ishin anëtarë të degës së PDK-së në Gjilan.

Në njoftim thuhet se zyrtarët e përjashtuar nga PDK-ja “nuk i kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së, edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”.

Vendimi për pwrjashtimin e tyre është marrë në mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për situatën dhe zhvillimet aktualite politike në vend, përfshirë, siç thuhet në njoftim, “skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme” të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Këshilli Drejtues i PDK-së, në mbledhjen e  mbajtur më 3 korrik 2023, kishte marrë vendim për pezullimin e çdo komunikimi zyrtar dhe ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, si dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.

(r.m.)