PDK ia shpreh Lajçakut rezervat ndaj propozimit evropian

Prishtinë, 10 mars 2023 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, takoi të premten të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Krasniqi tha se z. Lajçak ia ka shprehur rezervat ndaj marrëveshjes për normalizim të raporteve të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Krasniqi theksoi se në tavolinë është “një marrëveshje e përkohshme jo me njohje të ndërsjellë, por asociacion në qendër”.

“Zotit Lajçak ia shpreha edhe njëherë qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, rezervat që i kemi sa i përket marrëveshjes, për arsye të cilat i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Ne kemi qenë mbështetës të procesit të dialogut në vazhdimësi, duke pritur një përfundim që sjell marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë.

Ky ka qenë gjithmonë jo vetëm qëndrimi ynë, por edhe qasja e partnerëve ndërkombëtar. Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme, tashmë jo me njohje të ndërsjellë por me Asociacionin në qendër…

Sot, ne nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sot nuk kemi një marrëveshje finale, sot nuk kemi njohje të ndërsjellë, sot kemi një marrëveshje të përkohshme, sot kemi Asociacionin të cilin ne nuk e kundërshtojmë sepse nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai edhe kur të themelohet duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës padyshim, por kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit, e çka është më e keqja përtej Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Krasniqi tha se për PDK-në marrëveshja e propozuar nuk është e mjaftueshme dhe nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës.

“Qëndrimi konsistent i Partisë Demokratike të Kosovës, jo vetëm i shprehur së voni në kuadër të zhvillimeve të procesit të tashëm, por që nga viti 2018 dhe formalisht i ndërlidhur është vetëm me arritjen e qëllimit të njohjes së ndërsjellë. Pa njohje të ndërsjellë ne do të kemi vazhdim të dialogut, ashtu siç e parasheh neni 6 i marrëveshjes do të ketë pra vazhdimësi të pafundme të këtij procesi i cili do të jetë kushedi sa i gjatë, ndoshta edhe dhjetë, 12, ndoshta edhe 15 vjet, por krijon një ‘status quo’ të re e cila nuk e përfundon konfliktin e ngrirë me Serbinë. Andaj, edhe njëherë e shpreh edhe këtu para jush qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, që ne e shohim marrëveshjen si të pamjaftueshme, që nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës dhe që përtej hapave potencialisht pozitiv përpara krijon po ashtu edhe shumë pikëpyetje për të cilat fatkeqësisht deri sot kryeministri i Kosovës, përgjegjësi kryesor i kësaj situatë nuk e ka dhënë asnjë përgjigje”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur mundësinë që vërtetë të arrijë të bind mbështetësit ndërkombëtar që të përkrahin Kosovën në realizimin e qëllimeve shtetërore.

Ai tha se PDK do ta shprehë qëndrimin e saj përfundimtar vetëm pasi ta shohë tekstin final që e përfshin edhe aneksin e marrëveshjes.

“Sa i përket votimit në Kuvend është obligim të sillet në Kuvend, marrëveshja i plotëson kriteret e kërkuara nga neni 18 i Kushtetutës paragrafi 1. Kurdo që të vjen në Kuvend do ta shohim tekstin final që ndërlidhet me aneksin, me nenin 11. Ky tekst, kështu siç është nuk mund ta ketë dhe nuk do ta ketë mbështetjen dhe votën e Partisë Demokratike të Kosovës, por vendimi dhe qëndrimi ynë final do të jepet pasi të shohim taksin final sepse këto dhjetë nene janë shkruar me gjuhë ambiguitetit konstruktiv, të dykuptimësisë që ta bëjnë më të lehtë të pranueshme për palët, por marrëveshja reale është të aneksi, plani i implementimit, te neni 11 dhe këtë nuk e ka parë ende askush… Ky do të jetë besoj neni më i rëndësishëm për të marrë vendimin final”, tha Krasniqi.

(r.m.)