PDK-ja kërkon zgjedhje të parakohshme në Kosovë

Prishtinë, 10 korrik 2023 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë të hënë se qeveria aktuale “nuk e meriton të vazhdojë asnjë ditë të vetme”. Ai tha se deputetët e PDK-së nuk do ta votojnë asnjë ligj në Kuvend, me qëllim që ta rrëzojë qeverinë aktuale, të cilën e akuzon për izolimin e vendit.

“Çdo ditë e më shumë vendi ynë po sanksionohet. Vendet e BE-së po marrin masa ndaj Kosovës. Nuk mund të jetojmë të izoluar. Çfarëdo votimi i ligjeve do të thotë marrëzi e vazhdimit të kësaj qeverie. Nuk do të votojmë asgjë me qëllim që vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Njerëzit të cilët e vendosin vendin në krizë e në sanksione nuk mund ta nxjerrin nga aty”, ka thënë ai.

Nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së dhe LDK-së nuk kanë marrë pjesë në  mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të hënën, kështu që kryesia nuk ka  pasur kuorum për të marrë vendime. Për këtë arsye mbledhja e kryesisë së Kuvendit nuk është mbajtur.

Kjo është hera e dytë që përfaqësuesit e këtyre dy partive opozitare nuk marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. Udhëheqjet e këtyre partive kanë thënë se deputetët e tyre do të bojkotojnë edhe procesin e votimit, për të bërë të pamundur miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilst nevojiten votat e dy të tretave të përbërjes së kuvendit. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) ka inicuar nënshkrimin e një peticioni për heqjen e votëbesimit të Qeverisë, por PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë përkrahur këtë nismë me arsyetim se opozita nuk i kavotat emjaftueshme për rrëzimin e qeverisë.

Të hënën, në seancën plenare të Kuvendit, Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka paralajmëruar se bojkotimi i punës së Kuvendit mund ta deytyrojë shumicën qeverisëse ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

(r.m.)