PDK: S’do të këtë normalitet në Kuvend pa themelimin e komisionit hetimor për krizën energjetike

Prishtinë, 5 maj 2022 – Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se në Kuvend nuk do të këtë normalitet, pa themelimin e komisionit hetimor lidhur me menaxhimin e krizës për energjinë elektrike.

Ai ka theksuar se qeveria duhet të japë llogari për 125 milionë eurot e shpenzuara në emër të krizës.

“A nuk është normale që të kërkohet një hetim parlamentar për janar, shkurt, mars, prill? Këta muaj, në emër të krizës, janë shpenzuar qindra miliona euro, ndërsa importi ka qenë në masë tepër të vogël. Në muajin mars kemi importuar vetëm 0,56%, ndërsa në prill, deri më datën 24, 0.86%. Importi nuk është bërë. Gjithë konsumi është mbuluar nga prodhimi vendor, në masë të madhe nga temrocentralet e KEK-ut (Korporatës Energjetike  të Kosovës), pastaj nga hidrocentrali i Lumbardhit dhe nga impiantet diallore dhe me erë. Prandaj, si PDK, si iniciues të themelit të këtij komisioni, në asnjë rrethanë nuk do të bijimë pre e atij provokimi”, ka thënë Tahiri.

“Ne kërkojmë hetim parlamentar dhe kjo do të jetë e pashmangshme. Nuk do të ketë normalitet parlamentar, pa u themelua komisioni hetimor parlamentar. Ne emër të importit, i cili nuk ka ndodhur, është dyfishuar çmimi i energjisë elektrike. Këto duhet të kthehen tashmë. Edhe nga ky refuzim i Vetëvendosjes dhe Kurtit (kryeministrit Albin Kurti) për të mos lejuar formimin e këtij komisioni duket qartë që ka diçka. Ka njerëz që kanë kryer vepër penale dhe për këtë duhet të ballafaqohen me prokurorët e shtetit. E shihni instrumentin e Albin Kurtit, ZRRE-në (Zyrën e Rregullatorit të Energjisë) me çfarë ngulmi insiston të mos respektohet vendimi i gjykatës. Për 12 vite asnjëherë Vetëvendosja nuk ka kërkuar komision hetimor parlamentar për ato keqpërdorime që pretendon që janë bërë”, ka theksuar Tahiri.

(r.m.)