Strasburg, 28 shtator 2022 – Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (PE) do të diskutojë në muajin tetor për draftin e raportit të PE-së në të cilin kërkohet që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet sa më shpejt.
Edhe Këshilli Evropian e ka vendosur në agjendën e muajit tetor çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në draftin e raportit të PE-së kërkohet që Bashkimi Evropian (BE) të angazhohet më shumë që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, për normalizimin e raporteve midis tyre.
Aty theksohet edhe mbështetja e aspiratave të shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për integrimet evropiane.
Në draftin e raportit të përgatitur nga PE-ja bëhet thirrje për “përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve që dëshmojnë orientim strategjik dhe përkushtim të palëkundur ndaj reformave evropiane, konsolidimit të demokracisë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”.
PE-ja kërkon që të shpërblehet përparimi i shteteve kandidate që i kanë harmonizuar politikat e tyre me ato të BE-së dhe të sanksionohet çdo regres i këtyre vendeve.
“Duhet siguruar që hapat e përkohshëm të integrimit të mos e zëvendësojnë, por ta ndihmojnë qëllimin përfundimtar që duhet të jetë anëtarësimi i plotë në BE”, thuhet në draftin e raportit.
Dokumenti, i cili është hartuar nga raportuesi Tonino Picula, kërkon që procesi i negociatave për anëtarësim mes BE-së dhe Turqisë të pezullohet derisa Ankaraja të mos bashkëpunojë ngushtë me Brukselin dhe të dëshmojë përparim të qartë në reforma.
Strategjia e zgjerimit, sipas PE-së, duhet të propozojë edhe një “partneritet të posaçëm” me ato shtetet që nuk e kanë qëllim të anëtarësohen në bllokun evropian apo nuk i përmbushin kriteret për anëtarësim.
PE-ja thekson se procesi i zgjerimit duhet të jetë një proces ku secili shtet vlerësohet në bazë të meritave individuale dhe kërkon të mbetet në fuqi politika e kushtëzimit. Ky kushtëzim duhet të përqendrohet sidomos në respektimin e parimeve të demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe lirinë e mediave.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë avancuar më shumë në procesin e anëtarësimit në BE. Këto dy shtete i kanë hapur disa kapituj të negociatave. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë hapur procesin e bisedimeve këtë vit, ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e kanë marrë ende statusin e vendeve candidate për anëtarësim në BE.
(r.m.)