PE: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të ketë bazë njohjen e ndërsjellë

Strasburg, 2 mars 2024 – Parlamenti Evropian (PE), përmes një rezolute që u miratua të enjten në mbrëmje, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që dialogut për normalizim të raporteve midis tyre t’i qasen me mirëbesim dhe në frymë kompromisi.

Në rezolutë thuhet se marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë duhet të jetë ligjërisht obliguese për palët dhe të ketë bazë “njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit, në mënyrë që pa vonesa të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në rezolutë.

Parlamenti Evropian paralajmëron Kosovën dhe Serbinë se “dështimi për të shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve do të ketë ndikim negativ në integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian”.

Në rezolutë dënohet “sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë me 24 shtator në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”. Ay bëhet thirrje që përgjegjësit për këtë sulm të nxirren para drejtësisë.

“Të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovës duhet të sillen para drejtësisë”, thuhet në rezolutë

Në rezolutë kërkohet gjithashtu që edhe ndaj Qeverisë së Serbisë të vendosen masa ndëshkuese, në qoftë se dëshmohet se ajo kishte gisht në sulmet terroriste në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkaq Bashkimit Evropian (BE) i bëhet thirrje që të adoptojë një qasje të re të ndërmjetësimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Ftojmë Bashkimin Evropian që të adoptojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve, në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu do të reflektojë edhe në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në rezolutë.

(r.m.)