Peach: Kosova ka të drejtë të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, por…

Sarajevë, 27 mars 2022 – Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka thënë se ka mbetur i zhgënjyer që autoritetet në Kosovë e refuzuan propozimin e vendeve të QUINT-it (SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) për të gjetur një zgjidhje kompromisi për të lehtësuar votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë.

Peach ka pohuar se Kosova ka të drejtë të vendosë në mënyrë sovrane nëse do të lejojë ose jo mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, por ka shtuar se Kosova nuk e shfrytëzoi një rast për të dëshmuar përkushtimin ndaj vlerave demokratike.

“Është e qartë se Kosova ka të drejtë sovrane për të vendosur nëse një votim i tillë do të ndodhë, por mosshfrytëzimi i rastit për të arritur një zgjidhje praktike të ofruar në këtë rast vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave themelore të gjithëpërfshirjes dhe të drejtave demokratike për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, ka thënë Peach në një intervistë për “Vjesti”.

Emisari britanik ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar embështet plotësisht procesin e dialogut qëndërmjetësohetnga BashkimiEvropian dhe ka theksuar se marrëveshja përfundimtare midis  Kosovës e Serbisë është në interes të paqes dhe sigurisë në mbarë rajonin.

“Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur gjithmonë këtë proces dhe unë personalisht, si i dërguar, punoj ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili është përgjegjës për dialogun. Megjithatë, duhet të kemi parasysh se, në fund të fundit, ky proces u përket këtyre dy vendeve. Ato duhet të bashkëpunojnë në interes të popullit të Kosovës dhe të Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme dhe të qëndrueshme, e cila është e pranueshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Është e qartë se gjetja e një zgjidhjeje është në interes dhe kontribuon në sigurinë e të gjithëve në rajonin më të gjerë. U bëj thirrje liderëve të të dyja palëve që të angazhohen në negociata me gjithë zemër dhe në mënyrë konstruktive”, ka thënë ai.

Peach e ka komentuar edhe iniciativën për “Ballkanin e Hapur”. Ai ka thënë se në parim janë për t’u mirëpritur iniciativat që synojnë integrimin rajonal, por ka  tërhequr vërejtjen që kjo inicviativë të mos përplaset me iniciativat ekzistuese.

“Është e rëndësishme që proceset e reja të plotësojnë iniciativat ekzistuese në vend që të përplasen me to, dhe që ato të jenë gjithëpërfshirëse dhe të hapura për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kushte të barabarta. Një treg më i unifikuar do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do ta bëjë atë më tërheqës për investimet e huaja. Iniciativa e Tregut të Përbashkët Rajonal është një mekanizëm thelbësor për integrimin e mëtejshëm ekonomik rajonal, i cili shkon paralelisht me perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë ai.

(r.m.)