Prishtinë, 30 tetor 2022 – I dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka deklaruar se vendi i tij është kundër çfarëdo marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë që prek kufijtë.
“Mbretëria e Bashkuar e kundërshton qartë tërheqjen e kufijve përgjatë vijave etnike, qofshin këto shkëmbime tokash apo ndarje: ne nuk e mbështesim atë, ne do ta kundërshtonim. Çdo bisedë për ndryshime kufijsh thjesht po sjell diskutim të padëshiruar në të ardhmen”, ka thënë ai në një intevistë për Kohën.
Sir Stuart Peach ka thënë se “dialogu nuk ka alternative”.
“Zgjidhja e problemeve të përditshme me të cilat përballen qytetarët në Kosovë dhe Serbi është thelbësore. Nga moszgjidhja e tyre nuk përfiton askush përveç atyre që kërkojnë të nxisin ndasitë midis fqinjëve dhe të pengojnë përparimin drejt një të ardhmeje më të mirë”, ka thn ai.
Sir Stuart Peach ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtar, përfshirë Këshillin e Evropës.
“Mbretëria e Bashkuar është e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë në thellimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe të inkurajojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, siç po bëjmë me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, është shprehur ai.
I dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor nuk shmangur të flasë për afate kohore, por ka theksuar se tani është momentum i përshtatshëm për arritjen e marrëveshjes.
“Nuk do të spekuloj për afatet kohore. Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe unë e di që këtë pikëpamje e ndajnë të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Tani ka një dritare mundësie në Kosovë dhe në Serbi, ku nuk do të ketë zgjedhje apo ndryshime në qeveri për disa kohë. Kosova dhe Serbia duhet të përfitojnë nga kjo”, është shprehur Sir Stuart Peach.
(r.m.)