Peach: Sulmi në veri ishte incident shumë serioz, kërkojmë hetime të plota

Prishtinë, 16 tetor 2023 – I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stuart Peach, e ka dënuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, të cilin e cilësoi “incident shumë serioz” dhe bëri thirrrje për hetim të plotë lidhur me sulmin.

“Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetëm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet”, u shpreh Lordi Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqendrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet”, ka shtuar ai.

Lordi Peach e ka cilësuar të nevojshëm forcimin e kontrollit në  zonën  kufitare midis Kosovës e Serbisë, në mënyrë që të parandalohen incidentet që mund të rrezikojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Duke u gjigjur në pyetjen se a do të ishte e mundur të organizohej dhe të kryhej një sulm i përmasave aq të mëdha pa përkrahjen e Beogradit, Lordi Peach ka thënë se edhe kjo [ështje duhet të ndri[ohet.

“Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj derisa të mos kemi më shumë informacion”, është shprehur ai.

Lordi Peach, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Asociacioni i  komunave  me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrsesi një “Republika Srpska e dytë”.

“Qëndrimi ynë parimor është se Asociacioni nuk është dhe, po e përsëris, nuk është krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve”, ka thënë ai.

Lordi Stuart Peach ka thënë se Mbretëria e Bashkuar e mbështet dialogun që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të cilin e ka  cilësuar “synim madhor”.

(r.m.)