Biznesmeni Davide Pecorelli, i cili dyshohej se ishte “i vdekur” ose “i zhdukur në malësinë e thellë të Pukës, para 8 muajsh, është gjetur në Itali, shëndosh e mirë
Rezultoi se ai kishte inskenuar gjithçka dhe vazhdonte jetën i qetë, në një ishull të mbrojtur italian, derisa gomonia e tij rrezikoi të mbytej dhe aty u zbulua. Nëse arsyeja e këtij inskenimi ishin borxhet e shumta që ai kishte, përfitimi i siguracionit të jetës, apo frika e hakmarrjes nga anëtarët e ndonjë organizate kriminale, këtë nuk mund ta themi me siguri.
Por një gjë është e sigurt, Davide Pecorelli duket se e ka pasur “lakun në fyt”, duke qenë se për ta bërë të besueshme vdekjen e tij, arriti të gërmonte në varre, duke nxjerrë nga aty eshtra, e që më pas iu vuri flakën. Prokuroria e Pukës ka regjistruar procedim penal për tri akuza në ngarkim të biznesmenit italian Davide Pecorelli, i cili pasi u “zhduk” për 8 muaj, u gjet i gjallë në Itali.
Pecorelli akuzohet për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, “Dhunim të varreve” dhe “Kalim i paligjshëm kufiri”. Nga ana tjetër, po hetohet edhe nëse italiani ka bashkëpunuar me ndonjë person tjetër për të realizuar të gjithë “vrasjen” e “zhdukjen” e tij.
Burime nga grupi hetimor thanë se nga Komisariati i Policisë Pukë është bërë një referim shtesë në organin e akuzës, menjëherë pasi u mor informacion se Davide Pecorelli ishte gjallë. Megjithatë ende nuk kanë nisur të kryhen veprime nga ana e Policisë, duke qenë se prokurori i çështjes ndodhet në Hagë, ku ka zhvilluar disa takime. Mësohet se atje ka takuar edhe një delegacion të palës italiane, ku është diskutuar konkretisht për çështjen e Pecorelli-t.
HETIMI
Dyshimet se biznesmeni italian kishte inskenuar “vrasjen” e tij ishin ngritur edhe më herët nga Policia shqiptare, madje po verifikoheshin edhe dyshimet se ai mund të kishte dhunuar varret. Këto dyshime erdhën menjëherë sapo zjarrfikësja shoi flakët dhe në makinë u gjetën mbetjet kockore. Sipas ekspertëve kriminalistë, por edhe zjarrfikësve, ishte e pamundur që trupi i një njeriu të digjej aq shpejt për një kohë aq të shkurtër. Për më tepër, që aty të mbe teshin vetëm kockat.
Nga verifikimi paraprak i tyre, rezultuan të ishin eshtra njerëzore, megjithatë, ende nuk dihet se cilin varr, të cilave varrezave ka dhunuar Pecorelli, por për zbulimin e tij tashmë pritet urdhri i prokurorit, që Policia të nisë veprimet konkrete në terren. Prej disa javësh ishte zbuluar nga hetimet në Itali, atje ku edhe u dërguan eshtrat për të zbuluar ADN-në, që në fakt nuk u arrit të përftohej, se pista e vrasjes në Shqipëri po fillonte të binte dhe dukej më shumë si një inskenim sesa si një ngjarje e vërtetë. Hetuesit italianë kishin gjetur prova se Pecorelli ishte gjallë dhe skeleti i gjetur në makinën e djegur në Pukë nuk ishte i tij.
ZBULIMI
Biznesmeni italian, Davide Pecorelli, u gjet mbrëmjen e së shtunës në një ishull të Italisë, 8 muaj pasi ishte zhdukur nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, Pecorelli u gjet në një gomone në mes të detit në brigjet e ishullit Montecristo. Atij iu prish motori i gomones në mes të detit dhe është ndihmuar nga karabinierët e komandos komunale të Grosetos për të dalë në breg.
Biznesmeni italian mori me qira gomonen në ishullin Giglio dhe u nis drejt ishullin Montecristo, për arsye ende të paqarta. Në këtë ishull është e ndaluar hyrja. Më pas ai u dërgua mbrëmjen e djeshme të flinte në kazermë ku u prezantua me emrin e tij të saktë, Davide Pecorelli. Vetëm mëngjesin e së dielës karabinierët arritën të identifikojnë se kush ishte biznesmeni.
(Etleva Delia, Panorama.al)