Pedagogët e universiteteve të Shqipërisë protesuan për paga të denja dhe financim të kërkimeve shkencore

Tiranë, 5 tetor 2022 – Të mërkurën paradite, në sheshpushimin e Universitetit Politeknik të Tiranës, protestuan dhjetra pedagogë dhe përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë që kërkuan rritje të pagave dhe financim të kërkimeve shkencore.

Pedagogët kërkuan 50% rritje te pagës, të ndarë përkatësisht në 30% vitin e parë dhe 20% në vitin e dytë.

“Ndihem i indinjuar për mënyrën sesi trajtohemi ne sot, duke filluar nga pagesat edhe kërkimi shkencor. Krahas vendeve të BE-së, ne nuk krahasohemi dot as me vendet e Ballkanit,” tha Klodian Dhoska, pedagog dhe kryetar i Sindikatës së Universitetit Politeknik.

“Kërkojmë që çështjet e arsimit të lartë të shihen si prioritet kombëtar,” shtoi ai.

Pas protestave të pedagogëve, Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën rritjen e pagave të tyre nga 7 deri në 15%, sipas një skeme ku 7% do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga buxheti i universiteteve.

Pedagogët protestojnë për paga të denja dhe financim të kërkimit shkencor

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u kërkoi pedagogëve që të jenë realistë në kërkesat e tyre në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë.

“Pedagogët të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë, por kanë edhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit, apo policët dhe zjarrfikësit. Ata marrin fonde edhe nga programet e kërkimit shkencor të Bashkimit Europian,” tha Kushi, ndërsa shtoi se buxheti për kërkimin shkencor ishte dyfishuar.

Pedagogët e pranishëm në protestë nuk ndajnë të njëjtin mendim me ministren dhe e konsiderojnë rritjen e ofruar të pamjaftueshme. Mjeku dhe pedagogu Ilir Alimehmeti tha gjatë protestës se paga, kërkimi shkencor dhe investimi te studentët lë për të dëshiruar.

“Në Shqipëri kalkulimi i minimumit jetik nuk është bërë aty ku duhet. Unë nuk e krahasoj kurrë Tiranën me Berlinin, Parisin apo Romën, por e krahasoj me vendet fqinje si Prishtina dhe Shkupi, dhe aty shihet sa më poshtë jemi,” tha Alihmehmeti.

Ai përmendi edhe Departamentin e Kërkim-zhvillimit i cili nuk ka investimet e duhura për kërkimet shkencore të pedagogëve apo shkencëtarëve në Shqipëri.

“Elementi i tretë janë studentët, produkti për të cilët ne jemi këtu. Nga 31 mijë studentë që duhet të kalojnë në arsimin e lartë  rreth 11 mijë aplikuan për të studiuar jashtë shtetit, sepse ne nuk kemi kontribuar për ta,” vijoi Alimehmeti, duke shtuar se mosndërhyrja për përmirësimin e  këtyre elementëve do të thotë të lësh në baltë familjet dhe komunitetin.

Pedagogët protestues deklaruan se ata do i japin kohë qeverisë deri më 17 Tetor dhe më pas do të përshkallëzojnë protestën në rast të mosplotësimit të kushteve të tyre.

(Reporter.al)