Pejë: Një grua vritet nga bashkëshorti i saj, autori dorëzohet në polici

Prishtinë, 16 prill 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se një grua është vrarë në Pejë, të martën në mëngjes. Vrasja ka ndodhur në banesën familjare, rreth orës 8 të mëngjesit, ndërsa i dyshuar për vrasjen është bashkëshorti i saj.

Policia nuk e ka publikuar identitetin e viktimës dhe as të autorit. Por, mediet bënë të ditur se viktima është Gjyljeta Ukelli, punëtore në Klinikën e Stomatologjisë në Pejë, kurse autori i krimit është Edmond Lajçi. Sipas raportimeve, çifti ishin prindër të tre fëmijëve, mosha e të cilavëve nuk është publikuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka bërë të ditur se autori i dyshuar është arrestuar.

“Ngjarja ka ndodhur në një banesë në qendër të qytetit të Pejës, ku dyshohet se bashkëshorti e ka privuar nga jeta gruan e tij me armë zjarri. Atij i është konfiskuar arma dhe është arrestuar, ndërsa të gjitha njësitë relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë ekzaminimet e nevojshme”, ka thënë Nikqi.

Prokurori i krimeve të rënda në Pejë, Ersan Qavolli, ka thënë se autori ka shkuar vetë në polici, pasi e ka kryer krimin.

 “Bëhet fjalë për një vrasje makabre që ka ndodhur në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë. Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore, kemi lëshuar urdhrin për autopsinë e së ndjerës”, ka thënë Qavolli.

Ai ka thënë se tashmë ka disa dyshime për motivet e krimit, por nuk ka dashur t’i zbulojë ato.

“Kemi dyshime fillestare, mirëpo për momentin, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të lëshohemi më shumë lidhur me motivet”, është shprehur ai.

Prokurori Qavolli nuk ka dashur të japë as detaje lidhur me krimin.

“Kini parasysh që kemi të bëjmë me privimin nga jeta të bashkëshortes së të pandehurit dhe nuk mund të japim më shumë informata lidhur me mënyrën apo se kush ka qenë prezent në vendin e ngjarjes”,

Sipas raportimeve të para, autori i krimit ishte kallëzuar më parë në polici për dhunë në familje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dënoi vrasjen e sotme, duke theksuar se duhet dhënë fund femicidit në vend.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Vrasje e Gjyljeta Ukellit në Pejë ndodh vetëm pak ditë pas vrasjes së 21 vjeçares nga ish-bashkëshorti i saj, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, e cila e riaktualizoi problemin e dhunës në fazmilje dhe të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Autoritetet shtetërore të Kosovës bënë thirrje për ashpërsimin e dënimeve për veprat penale të kësaj natyre. Po ashtu, kërkuan që organet policore dhe gjyqësore të ndërmarrin veprime efikase për parandalimin e dhunës në familje.

Të hënën pasdite, në qendër të Prishtinës u organizua një marsh protestues përmes të cilit u bë thirrje për më shumë siguri për vajzat dhe gratë.

Sipas autoriteteve, prej vitit 2010 e deri në nëntor të vitit të kaluar, në Kosovë janë vrarë 55 gra.

(r.m.)