Pëllumbi: Patriotizmi përkushtim ndaj atdheut, nacionalizmi kërcënim ndaj tij

Intervistë për gazetën “Illyria” në SHBA e filozofit dhe politikanit Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe nismëtar i themelimit të PS-së në shndërrimet demokratike të viteve 1989-1992

 

Bisedoi: Denion Ndrenika

 

-Profesor Pëllumbi, fillimisht u falënderoj që pranuat të bisedoni me gazetën e komunitetit shqiptaro-amerikan “Illyria” në SHBA.

-Servet Pëllumbi: “Është kënaqësi e veçantë për mua që më jepet rasti të bisedoj me ju për gazetën e njohur “Illyria”dhe të shpreh respektin tim të thellë për komunitetin shqiptaro-amerikan në SHBA, për ndjenjat e spikatura patriotike dhe kontributet e dhëna në vite për Shqipërinë, për lirinë, pavarësinë dhe prosperitetin e saj. Faleminderit”!

 

-Ju po dilni me një libër të ri mbi integrimin dhe nacionalizmin. Si ta zbërthejmë këtë? A keni pasur ndonjë shtysë që ndërmorët nismën për ta shkruar?

-Servet Pëllumbi: “Po, madje tepër të fuqishme. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, që u festua me madhështi më 28 nëntor 2012 e fokusuar në Vlorën e Flamurit, ka qenë shtysa kryesore. Pata rastin të ndjek nga afër një shpërthim patriotizmi të përmasave të papara. Performancës së shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, që iu shtua ajo e shqiptarëve të ardhur në Vlorë nga e gjithë Shqipëria e Diaspora, e sidomos nga Komuniteti shqiptaro-amerikan i SHBA-së, ishte sa emocionuese, aq dhe madhështore. M’u kujtua profecia e rilindasit, të madhit Sami Frashëri: “Në mest të Shqiptarëvet të vërtetë s’ka nonjë ndarje, nonjë çarje, nonjë ndryshim! Janë të tërë vëllazër, të gjith një trup, një mendje, një qëllim, një besë” (Sami Frashëri: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Bot. Reklama, f. 76).

Në Vlorë u grumbulluan rreth 800 mijë shqiptarë (sipas të dhënave të Kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika) dhe për dy ditë e dy net pati vetëm gëzim e hare në sheshet e rrugët që skuqnin nga flamujt e banderolat dhe që u shndërruan në skena të këngëve e valleve, në shpërthime patriotike e vëllazërim të paparë midis shqiptarëve, sidomos të atyre që jetojnë jashtë kufijve tanë shtetërorë. Iniciativa nga poshtë të papara. Demokraci e drejtpërdrejtë shembullore. Nuk pati nevojë për shumë komisione e programime, dominonin iniciativa e mirëkuptimi. Asnjë ngjarje e jashtëzakonshme, asnjë problem për ushqimin dhe akomodimin e tyre. Kur nuk mjaftonin hotelet, ishin të hapura shtëpitë e vlonjatëve për të pritur të ardhurit si miq e mysafirë të tyre. Një zgjim kombëtar i paparë, sidomos i rinisë shqiptare. Një lëvizje mbarëkombëtare, patriotike, pa asnjë dozë nacionalizmi e kërcënimi për askënd”!

 

-Çfarë do të thotë ndarazi “integrim” dhe “nacionalizëm” për shqiptarët, komb thuajse i vetmi i ndarë në 5 shtete? Kemi shqiptarët në shtetin maqedonas, të Luginës së Preshevës, Vranjës, Nishit, Leskovcit, Malit të Zi, çështjen e çamëve dhe të Çamërisë si dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi që po ngec siç shihet. A na thoni diçka ndarazi se si e mendoni Ju zgjidhjen e secilës prej tyre?

-Servet Pëllumbi: “Në vrullin e festës së madhe të Pavarësisë së shtetit shqiptar u dëgjua nga goja e kryeministrit shqiptar edhe një retorikë nacionaliste që evokonte idenë e “Shqipërisë së madhe”nga Presheva në Prevezë dhe nga Shkupi në Podgoricë, por që ngjalli keqkuptime dhe reagime kritike të forta jo vetëm nga fqinjët, por edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Pa mohuar padrejtësitë historike të vitit 1913 që la jashtë kufijve shtetërore gati gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët, sot mendohet me të drejtë se çështje të tilla nuk zgjidhen me anën e ideologjive e lëvizjeve nacionaliste, thelbi i të cilave nuk është dashuria për vendin tënd, por ngjallja e urrejtjes për të tjerët, thirrjet për të ndryshuar kufijtë me dhunë, me luftë.

Gjithsesi, duhet pranuar se qasja moderniste është më realistja dhe duhet të ketë prioritet. Realisht kombet modernë “duhet të jenë në të njëjtën kohë dhe me domosdo, sa civilë dhe etnikë” (Anthony D. Smith: Kombet dhe nacionalizmi në erën globale. Botimet “Dudaj”, 2008, f. 112). Kjo sepse janë pjesë e një sistemi të gjerë lidhjesh e bashkëveprimesh rajonale apo ndërkombëtare, që shoqërohen me angazhime e detyrime të përbashkëta, prandaj nuk mund të mbështeten te nacionalizmat që u ka ikur koha. Në të vërtetë, në asnjë vend të civilizuar ideologjia e nacionalizmit nuk ka sot kuptim pozitiv, prandaj dhe lindin keqkuptime kur nacionalizmi ngatërrohet, me apo pa qëllim, me patriotizmin që është ndjesi e fortë e pozitive,  parim themelor i moralit qytetar dhe duhet mbështetur me gjithçka.

Në librin tim të fundit “Integrimi dhe nacionalizmi”, për të cilin më pyetët, merrem gjatë me nevojën e një dallimi të tillë, qoftë dhe për faktin që në gjuhën angleze thirren me të njëjtin emër. Kështu, bie fjala, sociologu i njohur A.Giddens shkruan: “Nacionalizmi, mund të përcaktohet si tërësia e simboleve dhe besimeve që krijojnë ndjenjën e të qenit pjesë e një komuniteti të vetëm politik”. (Giddens, A. 2004. Sociologjia, bot. “Fondacioni Soros”, f. 300). Në këtë rast nacionalizmi ka kuptimin që ne në shqip e quajmë “patriotizëm”.

 

Përse flitet shpesh për t’u mbrojtur nga nacionalizmi? A është gjë e keqe kur punohet për kombin dhe mëmëdheun, pa i rënë askujt në qafë?

-Servet Pëllumbi: “Pikërisht puna për kombin, për mbrojtjen, modernizimin, zhvillimin e begatimin e tij është një vepër patriotike, që kërkon të mbrosh gjuhën, kulturën, historinë dhe  e traditat e përbashkëta, po ashtu dhe përkushtim, aftësi për të qenë miqësorë me njëri tjetrin dhe për të punuar të bashkuar, për të lënë pas dallimet krahinore, fisnore, partiake , moshore, fetare etj. Kurse nacionalizmi, sidomos në format e tij ekstremiste, është “një kalë”, të cilit nuk i duhet hipur! Po e ritheksoj në një formë tjetër. Patriotizmi, në thelbin e vet, është dashuri, mirënjohje e përkushtim ndaj atdheut e kombit. Nacionalizmi, përkundrazi, përbën kërcënim ndaj imazhit dhe forcës së Shqipërisë që njihet si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan”.

 

-Si do t’i lexonit profesor Pëllumbi komentet e shumta pas shprehjes së deklaratave të ndryshme, kryesisht politike, mbi mundësinë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet dhe përse të mos ndodhë?

-Servet Pëllumbi: “Kombi, si objekt adhurimi është një organizëm i gjallë, përfaqëson një marrëdhënie të përditshme emocionale e morale me vendin, mjedisin, me gjuhën e kulturën, me fqinjin, kujtimet, zakonet, miqësitë, familjen, me varret e të parëve, por sidomos me interesat më jetike social ekonomike e shpirtërore të shqiptarëve. Për ndjesi të tilla nuk mjafton të mbash fjalime patriotike dhe më pas, nga pozita nacionaliste, të nxitësh urrejtje për të tjerët, të krijosh tensione politike në raport me fqinjët e më gjerë, të minosh rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon, apo të  rrezikosh njohjen e mëtejshme, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës që festoi 5-vjetorin më 17 shkurt 2013.

Kurse integrimi apo bashkimi i kombit shqiptar ka nevojë për një “lexim” tjetër, për një platformë të përbashkët as nacionaliste, as albanofobe, që ka në themel moton: “Të bashkuar me njëri-tjetrin, të bashkuar me Europën”. Kjo në substancë do të përbënte përgjigjen më të thjeshtë për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan”.

 

-Përse Kuvendi i Shqipërisë druhet për të shqyrtuar një kërkesë të një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës për krijimin e Unionit Shqipëri-Kosovë të dorëzuar rreth viteve 2002-2004 në Tiranë? Ju keni qenë Kryetar i Kuvendit dhe si e shihni këtë ngurrim të sotëm?

-Servet Pëllumbi: “Çështja e Bashkimit kombëtar të shqiptarëve nuk është çështje propozimesh nga një apo disa deputetë të Kosovës dhe as e ndonjë rezolute a vendimi që mund të marrë Kuvendi i Shqipërisë. Kjo do të ishte baras me thjeshtëzimin e skajshëm të një problemi tepër serioz e të rëndësishëm politik. Në të vërtetë Bashkimi Kombëtar meriton të trajtohet mbi bazën e një vizioni integrues europian, gjë që e  bën të papranueshëm çdo padurim nacionalist të shkëputur nga situatat dhe mundësitë konkrete. Jo rastësisht në Platformën e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë theksohet, se zgjidhja duhet kërkuar në kuadrin e procesit historik që përshkon sot Kontinentin Europian” (Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë, 1998 f.39).

Ndërkohë, nuk mund të injorohet as fakti që disa Marrëveshje Ndërkombëtare, por dhe Kushtetuta e Kosovës përmbajnë klauzola që ndalojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, madje dhe organizimin e ndonjë referendumi për çështje të tilla. Megjithatë, ka plot mundësi që nuk po shfrytëzohen për integrimin brenda nesh, për lëvizjen  e lirë të njerëzve dhe të kapitaleve, për heqje të barrierave doganore përmes një bashkimi doganor, për lehtësim të investimeve për bizneset, për krijimin e një sistemi arsimor të unifikuar Shqipëri-Kosovë, për një plan të përbashkët për sigurimin energjetik, për strategji të njehsuara turistike etj. Bashkimi i vërtetë Kombëtar, sipas mendimit tim, do të ndodhë kur kufijtë të shihen si një kujtim i largët i ndarjeve, pra në kufij të integruar; do të ndodhë kur niveli ekonomik e kulturor do t’i lejojë njërit apo tjetrit shqiptar që të jetojë si i barabartë me të tjerët ku të dojë, në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi apo në Maqedoni, brenda një bashkimi ku po përpiqemi të gjithë të bëjmë pjesë, pra brenda BE-së”.

 

-Cila do të ishte vërtetë zgjidhja për respektimin e plotë të shqiptarëve në Ballkan, me gjithë formulën e “bashkimit në Europë”, kur vetë ata, pra shqiptarët, në shtetet ku jetojnë nuk gëzojnë drejt të themi të gjitha të drejtat?

 

-Servet Pëllumbi: “Përgjigja më e shkurtër do të ishte:Të mësohemi të bëhemi komb modern dhe i civilizuar. Thënë ndryshe, ne na duhet: së pari, të vazhdojmë intensivisht të mësojmë për të qenë Komb dhe për t’u bërë një komb modern në identitetin dhe në nivelin tonë të zhvillimit; dyti, na duhet një Shqipëri normale, me demokraci të konsoliduar e jo hibride si ajo që kemi sot, një shoqëri të emancipuar dhe e aftë për t’u integruar në një bashkësi shtetesh më të zhvilluara. Kuptohet, pa hequr dorë nga detyrimi kushtetues për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë”.

 

Çfarë këshille mund t’i jepni z.Pëllumbi ndonjë aktori politik në Tiranë që shfaq një lloj “mbikqyrjeje atërore” aty-këtu ndaj Kosovës?

-Servet Pëllumbi: “Paternalizmit dhe bajraktarizmit, tashmë, i ka ikur koha edhe brenda një familjeje a fisi e jo më në raportet shumë më komplekse kombëtare! Sot ka ardhur koha, që kush kërkon piedestale e pretendon për rolin e “prijësit legjendar të kombit”, me votim të lirë të mos pranohet as për kryeplak në katund”!

 

-Si do ta kategorizonit politikën e SHBA-së dhe rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan për shqiptarët? Ku duhet të punojë Shqipëria që si SHBA ashtu edhe bashkatdhetarët tanë të ndihen plotësisht pjesë e jetës sonë shoqërore e politike? Pse të mos ketë diaspora deputetët e saj, ndërsa forma e zgjedhjes le të vendoset nga vetë ajo?

-Servet Pëllumbi: “SHBA për Shqipërinë është aleati kryesor strategjik, për komunitetin shqiptaro-amerikan që ka ardhur duke u rritur numrin dhe rëndësinë e vet, është atdheu i dytë. Shqiptarët e Amerikës kanë qenë pjesëmarrës aktivë në të gjitha lëmenjtë e jetës dhe të demokracisë amerikane. Presidenti i parë, i madhi Xh.ëashington, në Letrën e tij Testament flet për prejardhjen e tij shqiptare nga nëna dhe porosit pasardhësit që të mbështesin shqiptarët… Presidentit ëillson, shtatorja e të cilit qëndron madhështore në një nga sheshet e Tiranës, në Konferencën e Parisit (1920) i tha një “jo” të vendosur projektit të Fuqive të Mëdha për “ndarjen e radhës” të trojeve shqiptare në favor të fqinjëve. Presidenti Bill Klinton, bashkë me udhëheqës të tjerë europianë, miratuan aksionin e NATO-s për t’i thënë “ndal” gjenocidit milosheviçian dhe për të çliruar Kosovën. Shqipëria gjatë 20 vjetëve të fundit ka pasur ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme për vendosjen dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike.

Në të gjitha këto etapa bashkatdhetarët tanë që jetojnë në SHBA si patriotë të mirë e të përkushtuar, kanë qenë në ballë për gjithçka, prandaj dhe meritojnë mirënjohjen tonë më të madhe dhe më të sinqertë. Ndërkohë, klasa politike shqiptare meriton të kritikohet sepse nuk ka bërë sa duhet që bashkatdhetarët tanë të vlerësohen sipas meritës, që ata të ndihen plotësisht pjesë e jetës sonë shoqërore e politike. Ne ende nuk e kemi një Ministri që të merret kryesisht me shqiptarët jashtë atdheut, që janë afërsisht po aq sa jetojnë në Shqipëri; ende nuk kemi zgjidhur çështjen e votimit të lirë të tyre në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Pa folur që ka ardhur koha për të njohur deri dhe të drejtën për t’u zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të ishte në interesin e unitetit dhe bashkimit kombëtar. Në librin, për të cilin më pyetët unë mbroj një koncept të tillë”.

 

Gjendja në Shqipëri është tensionuar dhe ende po shtohet. Cila është këshilla Juaj për udhëheqjen  politike që të heqë dorë nga termat e “tejkalimit të popullit” apo “të forcës së institucioneve”?

-Servet Pëllumbi: “Shqetësimi që përçon pyetja tuaj është me vend, sepse prej vitesh ne nuk po zhvillojmë zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme. Lakmia e forcave të caktuara politike për të qëndruar në pushtet me çdo kusht e mjet, duke vjedhur e manipuluar votën popullore, edhe tani po manifestohet në mënyrë kërcënuese. Por, shpresoj se kësaj here votuesit shqiptarë e kanë kuptuar më mirë se pa rotacion politik nuk ka demokraci dhe integrim në botën e qytetëruar. Presim ndryshime pozitive. Edhe miqtë e kanë marrë më seriozisht çështjen e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Duket se edhe e keqja e ka një fund…”!