Jerevan, 18 shtator 2022 – Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, ka nderuar viktimat armene të masakrave të epokës otomane, gjatë vizitës që ka për qëllim të shprehë mbështetjen për Armeninë, në mes të luftimeve të reja me Azerbajxhanin.
Nancy Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që e viziton Armeninë, që kur ky shtet e fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991.
Para takimit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, më 18 shtator, Pelosi vendosi kurora lulesh pranë një monumenti në Jerevan për të nderuar afër 1.5 milion armenë që vdiqën në fushatat e orkestruara të dhunës nga turqit otomanë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Vrasjet janë cilësuar si gjenocid nga një numër i madh historianësh si edhe nga Kongresi amerikan, i cili në mënyrë unanime e miratoi rezolutën e gjenocidit më 2019.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zyrtarisht i ka njohur vrasjet si gjenocid, në prill të vitit 2021.
“Nga Shtetet e Bashkuara në Ukrainë, Tajvan, Armeni, bota përballet me zgjedhjen midis demokracisë dhe vetëqeverisjes, dhe ne duhet të zgjedhim sërish demokracinë”, shkroi në Twitter Pelosi pasi arriti në Armeni.
Këto deklarata janë referencë e vizitave që Pelosi ka bërë gjatë muajve të fundit. Në maj, ajo udhëtoi në Kiev ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shteti i së cilit po përballet me pushtimin rus.
Muajin e kaluar, Pelosi vizitoi Tajvanin, një vizitë që zemëroi Pekinin, i cila e sheh këtë ishull si provincë të tij dhe është zotuar se do ta bashkojë me Kinën.
Pelosi është nga Kalifornia, shtëpi e një prej komuniteteve më të mëdha etnike armene në SHBA. Në udhëtimin e saj në Armeni, ajo po shoqërohet nga ligjvënëset Jackie Speier dhe Anna Eshoo, që të dyja me prejardhje armene.
Vizita e Pelosit në Armeni vjen disa ditë pas përleshjeve më të këqija në dy vjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, luftime që kanë lënë të vrarë mbi 200 persona në të dyja palët.
Që para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dy palët kanë luftuar për rajonin e Nagorno-Karabakut. Forcat armene etnike morën kontrollin e këtij rajoni të shkëputur më 1994. Më 2020, Azerbajxhani largoi forcat armene nga shumica e territorit të rajonit dhe qarqeve përreth.
Në dhunën e fundit, të dyja shtetet shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit që i ndan dhe forcat e Azerbajxhanit kryen sulme edhe brenda territorit të Armenisë.
Rusia, e cila ka raporte të mira me të dyja shtetet, ndërmjetësoi një armëpushim pak kohë pas nisjes së luftimeve, por përleshjet vazhduan.
Qeveria e Azerbajxhanit ende nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me vizitën e Pelosit.
(REL)