Taipei, 2 gusht 2022 – Katër anije luftarake amerikane, përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujërat në lindje të Tajvanit të martën, në kohën që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, u nis për vizitë në ishull, përkundër paralajmërimeve të Kinës.
Transportuesi “USS Ronald Reagan”, që kishte kaluar transit në Detin e Kinës Jugore, aktualisht është në Detin e Filipineve, në lindje të Tajvanit e Filipineve dhe në jug të Japonisë, konfirmoi një zyrtar i marinës amerikane për Reutersin të martën.
“USS Ronald Reagan” (CVN 76) është aeroplanmbajtësja e nëntë e klasit “Nimitz” me energji bërthamore dhe është emëruar në nderim të presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara.
“Këto janë zhvendosje normale rutinore, por janë në gjendje t’i përgjigjen çdo eventualiteti”, tha një zyrtar i marinës amerikane, në kushte anonimiteti.
Zyrtari tha se anija sulmuese “USS Tripoli” ishte gjithashtu në zone, si pjesë e një dislokimi në rajon që nisi në fillim të majit nga porti i saj i origjinës, San Diego.
Konfirmimi i dislokimeve u bë pasi u shfaqën shenja të aktivitetit ushtarak në të dy anët e ngushticës së Tajvanit, në prag të vizitës së Pelosit.
Nancy Pelosi, kritike e kahmotshme e Kinës, pritet të mbërrijë në Taipei të martën vonë, thanë burimet. Shtetet e Bashkuara thanë se nuk frikësohen nga kërcënimi i Kinës me forcë ushtarake gjatë vizitës së Pelosit në Tajvan.
Përveç aeroplanëve kinezë që fluturonin afër vijës ndarëse, të martën në mëngjes, disa anije luftarake kineze ishin vendosur pranë kësaj vije qysh nga e hëna, i tha agjencisë Reuters një burim i informuar për këtë çështje.
Burimi tha se të martën në mëngjes anijet luftarake dhe avionët kinezë “e ngushtuan” vijën ndarëse, një lëvizje e pazakontë të cilën ai e vlerësoi si “shumë provokuese”.
Burimi tha se të martën në mëngjes një avion kinez e përsëriti një “lëvizje taktike, duke e prekur pak vijën ndarëse, e pastaj u kthye përsëri në anën tjetër të ngushticës, ndërkaq avionët tajvanezë ishin aty pranë në gjendje gatishmërie.
Në rrethana normale, avionët e asnjërës palë nuk e kalojnë vijën ndarëse mes Tajvanit dhe Kinës.
Kina tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të “paguajnë çmimin” nëse Pelosi viziton Tajvanin gjatë udhëtimit të saj në Azi.
“Pala amerikane do të mbajë përgjegjësi dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Hua Chunying, në një konferencë të rregullt për media, në Pekin.
Kina e konsideron Tajvanin territor të saj dhe ka përsëritur paralajmërimet se vizitën e Pelosit në ishull do ta konsideronte si një provokim të madh.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se zotëron plotësisht aktivitetet ushtarake pranë Tajvanit dhe do t’i dërgojë forcat në mënyrë proporcionale me reagimin ndaj “kërcënimeve të armikut”, ndërsa tensionet me Kinën rriten.
Tajvani e ka ngritur nivelin e saj të gatishmërisë luftarake nga e marta në mëngjes deri të enjten në mesditë, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Tajvanit, duke cituar burime të paidentifikuara.
Disa analistë ushtarakë në rajon thonë se shtimi i trupave në këtë kohë tensionesh e rrit rrezikun për incidente, ndonsëse asnjëra palë nuk dëshiron konflikt aktualisht.
(Sipas REL)