Pendarovski: “Ballkani i Hapur” s’mund të ketë sukses pa përfshirjen e të gjitha shteteve

Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kanë thënë se nisma rajonale “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses derisa në të nuk përfshihen të gjitha vendet e rajonit.

Presidentja Osmani tha se kjo nismë nuk bazohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk e pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ajo theksoi se Serbia synon që përmes kësaj nisme të realizojë aspiratat e saj hegjemoniste.

“Përderisa Serbia nuk e trajton Kosovën mënyrë të barabartë në iniciativa rajonale, atëherë shohim se Serbia do zgjerim të interesave të saj hegjemoniste. Kosova ka rezerva të mëdha sa i përket aspekteve politike të kësaj iniciative, por edhe sa i përket ekonomisë e sigurisë sepse synimi është të përdoret njëfarë paradhome që të zvarritet procesi e integrimit evropian”, ka thënë Osmani, të mërkurën, në Prishtinë, në konferencë të përbashkët përmedie me Presidentin e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, Pendarovski ka kujtuar se këtë nismë e kishte parë me dyshime qysh kur ishte lansuar, në vitin 2019.

“T’ju rikujtoj se kur u shfaq kjo iniciativë, më 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezerva. Kësaj nisme i mungon diçka: në vend se të jenë gjashtë shtete, janë vetëm tri. Derisa në këtë nismë të mos përfshihen të gjitha shtetet ajo nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk mund ta zëvendësojë Procesin e Berlinit.

“Qëndrimi im është se kjo nismë mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësimin e aktiviteteve tregtare e ekonomike, por jo politike. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por nuk mund ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka prapa institucione, ka resurse, kurse Ballkani i Hapur nuk i ka ato”, ka thënë Pendarovski.

(r.m.)