Shkup, 13 gusht 2023 – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar lidhur me tubimet publike që u mbajtën të premten në Çair të Shkupit dhe në Tetovë, në të cilat mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pendarovski ka thënë se ikonografia e përdorur në këto tubime, të cilën ai e ka cilësuar “ikonografi nacionaliste provokuese” paraqet “nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës etnike” në Maqedoninë e Veriut dhe sulm “ndaj vlerave themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, e cila i kishte dhënë fund konfliktit në këtë vend fqinj.
“Afishini i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste shtetomëdha paraqet nxitje të urrejtjes dhe intolerancës etnike, e cila pa mëdyshje cenon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si edhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik”, ka shkruar Pendarovski në Facebook.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e në Çair të përgjigjen para drejtësisë për “shkeljen e dispozitave ligjore” për përdorimin e simboleve kombëtare.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë e Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e disapozitave ligjore për përdorimin e flamurit e të himnit shtetëtor si edhe të flamujve e simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, i bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të zhvillojnë procedurat e parapara”, ka shkruar Pendarovski në Facebook.
Pendarovski ka reaguar edhe lidhur me emërtimin e një rruge në komunën Çair të Shkupit me emrin e Adem Demaçit. Ai ka thënë se pret të konstatohet nëse me këtë rast është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, ku duhen të përfshihen edhe votat e komuniteteve pakicë në komunë.
“Mënyra e realizimit të idesë për riemërtimin e rrugës në komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimin e trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend. Prandaj, pres që shërbimet kompetente inspektuese të verifikojnë nëse është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, përfshirë edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, thuhet në reagimin e Pendarovskit.
Në tubimet publike në komunën e Çairit të Shkupit dhe në Tetovë janë afishuar vetëm simbolet kombëtare shqiptare. Ndër të tjera, në tubim është parë edhe një afishe me hartën e Shqipërisë etnike. Kjo ka shkaktuar reagime të mëdha te subjektet politike maqedonase, të cilat e kanë quajtur këtë si provokim të rëndë për shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Tubimet në Çair të Shkupit dhe në Tetovë ishin organizuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila udhëheq në Tetovë, dhe nga fraksioni i Bashkimit Demokratik për Integrim, që udhëheq në komunën e Çairit. Në asnjërin nga këto tubime nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i pushtetit në Maqedoninë e Veriut dhe as i partisë më të madhe shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë dhe ka mbajtuar fjalime në të dy tubimet. Autoritetet shtetërore në Shkup e kanë cilësuar vizitën dhe pjesëmarrjen e Kurtit në to si vizitë private.
(r.m.)