Shkup, 19 dhjetor 2023 – “Jam lodhur nga pritja se një ditë do të jem qytetare e Bashkimit Evropian”, thotë Emilija Naumovska rreth të pesëdhjetave, nga Shkupi, e cila punon si juriste.
“Çdo herë na thuhet se duhet të punojmë më shumë. Tashmë 30 vjet dëgjoj se ne po ecim drejt Bashkimit Evropian, se Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e shteteve të familjes evropiane”, shprehet ajo.
Studenti Blendi Hodai pohon se për çdo ditë e më shumë i zbehet shpresa se Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ashtu siç pretendojnë zyrtarët e vendit.
“Si një i ri mendoj se Maqedonia e Veriut është shumë larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian për arsye se ka shumë ngecje për sa u përket detyrimeve që ka marrë vendi siç janë reformat në sistemim gjyqësor etj. Nuk besoj që deri më 2030 vendi do të jetë pjesë e BE-së bashkë me Shqipërinë, ashtu siç kanë theksuar zyrtarët e vendit. Megjithëse, s’do mend se e ardhmja e vendit mbetet integrimi në Bashkimin Evropian”, thotë ai.
Ndërsa, Filip Sokollovski, i cili punon në një kompani të teknologjisë informative, thotë se nuk planifikon të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut, pasi i ka humbur të gjitha shpresat se vendi ka kapacitete për t’i përmbushur kriteret që kërkohen nga Brukseli si pjesë e detyrimeve për t’u integruar në familjen evropiane.
“Nuk arrij të bindem se institucionet kanë kapacitet, e aq më pak vullnet që ta luftojnë korrupsionin, të investojnë në funksionalitetin e tyre në shërbim të qytetarëve. Thjesht, dua të jetoj në një shtet ku vlerat janë parësore dhe jo të pasurit të njohur (nepotizmi)”, thotë studenti Sokollovski.
Një hulumtim që ka realizuar Instituti për Demokraci, Societas Civilis, i prezantuar të hënën, ka nxjerrë në pah se brenda një dekade është ulur për 30 për qind mbështetja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Kjo organizatë ka theksuar se përderisa gjatë vitit 2014, 90 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur pro-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tani vetëm 60 për qind e qytetarëve janë pro-anëtarësimit në BE dhe pjesa tjetër është shprehur e pavendosur.
“Edhe pse shënon rënie mbështetja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për BE-në, megjithatë mund të thuhet se euro-skepticizmi nuk ka shënuar rritje, përkatësisht një pjesë e madhe e qytetarëve mbetet e pavendosur lidhur me këtë çështje. Do theksuar se nuk janë kundër anëtarësimit të vendit në BE”, ka theksuar Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, Societas Civilis, gjatë prezantimit të dy analizave “Analiza e opinionit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (2014 – 2023)” dhe “Integrimi në BE nën hijen e proceseve të brendshme – Analizë e opinionit publik për vitin 2023”.
Zyrtarët në Maqedoninë e Veriut theksojnë se rënia e numrit të qytetarëve që mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Evropian ka të bëjë me bllokadat që pa të drejtë i bëhen Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE-së nga vendet e saj fqinje – më herët nga Greqia duke e kushtëzuar procesin e integrimit me ndryshimin e emrit dhe së fundmi nga Bullgaria me ndryshimin e Kushtetutës.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, të hënën në kuadër të diskutimit me temën “Zgjerimi gjeopolitik i Bashkimit Evropian – mundësi të reja, rreziqe të vjetra”, të organizuar nga Instituti Friedrich Ebert ka theksuar se duhet të përfundojë shpejt procesi i integrimeve të vendit, pasi nuk ka alternativë tjetër.
“Momenti gjeopolitik është i tillë që Bashkimi Evropian përfundimisht ka kuptuar se nuk mund të ecë para, nëse nuk zgjerohet. Kjo vlen për të gjithë organizmat dhe organizatat, pra nëse nuk rritet, atëherë stagnon” ka theksuar kryeministri Kovaçeski megjithëse për ngecjen e procesit integrues ka fajësuar opozitën përkatësisht bllokimin e ndryshimit të Kushtetutës si kusht për të filluar bisedimet për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.
“Vetëm një gjë mund t’i shtyjë proceset para. Votimi i ndryshimeve të Kushtetutës dhe atë me këtë përbërje parlamentare. Ai që pret, asgjë nuk përfiton. Ai që ndërton dhe lufton për të ardhmen, ai fiton. Pamë se çka na solli pritja për 17 vjet. Përfundimi, asgjë”, ka theksuar Kovaçeski.
Nga ana tjetër, ish-ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ka vlerësuar se BE-ja duhet ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut në raport me kërkesat e vazhdueshme të palës bullgare.
“Kur Maqedonia e Veriut negocion me fqinjin e saj në anën tjetër, nuk është vetëm Bullgaria, por edhe fuqia e saj politike, e cila buron nga anëtarësimi në BE dhe dëshira jonë për t’u bërë anëtare e BE-së. Kur BE-ja tashmë ka dështuar ta balancojë atë asimetri, duke eliminuar disi çështjet dypalëshe nga procesi, atëherë ne besojmë se BE-ja duhet të ulet në tryezë dhe të ndihmojë për të gjetur një proces të qëndrueshëm dhe produktiv”, ka theksuar Shekerinska.
(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)