Uashington, 30 qershor 2021 – Pentagoni po sugjeron se sulmi me raketa i së hënës kundër forcave amerikane në Siri është kryer nga forca të armatosura të mbështetura nga Irani.
“Po punojmë nën supozimin se ato (raketat) u qëlluan nga milicia ose milicitë e mbështetura nga Irani. Nuk kemi atribuim specifik”, tha për gazetarët të martën sekretari i shtypit të Pentagonit John Kirby.
Rreth 34 raketa u hodhën të hënën në një bazë ushtarake në Deir ez-Zor të Sirisë, i njohur si Fshati i Gjelbër.
“Më 28 qershor, forcat amerikane në Siri u sulmuan nga raketa të shumta. Nuk pati viktima ose lëndime të forcave amerikane”, shkroi në Twitter të martën koloneli amerikan Wayne Marotto, zëdhënësi i ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik.
Trupat amerikane reaguan duke hapur zjarr me topa artilerie të kalibrit 155 milimetra, tha koloneli Marotto për Zërin e Amerikës. Shtetet e Bashkuara gjithashtu qëlluan me raketë nga droni, duke plagosur një sulmues, shkroi koloneli Marotto nëTwitter.
Zëdhënësi i Pentagonit, Kirby, tha se raketat shkaktuan dëme strukturore në të paktën dy ndërtesa, por pa shkaktuar asnjë viktimë. “Ende jemi duke vlerësuar fushën e plotë të dëmit,” shtoi ai.
Shkëmbimi i zjarrit u bë disa orë pasi ushtria amerikane tha se goditi tre objektiva afër kufirit midis Sirisë dhe Irakut të përdorura nga milicitë e mbështetura nga Irani për të kryer sulme me dronë mbi personelin dhe objektet amerikane.
“Unë urdhërova sulmet e mbrëmshme ajrore duke vënë në shënjestër vendet e përdorura nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani, përgjegjës për sulmet e fundit ndaj personelit amerikan në Irak”, tha të hënën në Zyrën Ovale, Presidenti Joe Biden.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin. Dy nga shënjestrat ishin brenda Sirisë dhe një në Irak.
“Sulmet kundër trupave tona duhet të ndalen dhe për këtë arsye presidenti urdhëroi operacionin e mbrëmshëm në vetëmbrojtje të personelit tonë,” u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Trupat amerikane në Irak janë sulmuar nga dronë tre herë në “pak më shumë se një muaj”, i tha Zërit të Amerikës Gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së në një intervistë në Kajro më 15 qershor. Sulmet nuk shkaktuan viktima.
Zëdhënësja e Pentagonit, Komandante e Marinës Jessica McNulty shtoi të hënën se “milicitë e mbështetura nga Irani kanë kryer të paktën pesë sulme me mjete ajrore pa pilot të njëanshme kundër mjediseve të përdorura nga personeli amerikan dhe koalicioni në Irak që nga prilli, si edhe sulme të vazhdueshme me raketa kundër forcave amerikane dhe të koalicionit “.
“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin, por jemi të gatshëm të mbrojmë forcat tona në mbarë rajonin dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi ose sulmi,” tha ajo.
Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi dënoi të hënën sulmin ajror amerikan në territorin e vendit të tij duke e quajtur atë një shkelje të sovranitetit kombëtar që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Ushtria irakiane tha se vendi i saj nuk duhet të jetë një arenë “për larje hesapesh”.
Sulmet e së dielës shënojnë herën e dytë që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin goditje ndaj milicive të mbështetura nga Irani, që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën. Në fund të shkurtit, Pentagoni vuri në shënjestër ndërtesa në Siri që i përkisnin asaj që Pentagoni tha se ishte milici e mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet kundër personelit amerikan dhe aleatëve në Irak.
(Zëri i Amerikës)