Uashington, 21 maj 2024 – Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u zotua të hënën për të vazhduar transferimin e armëve amerikane në Ukrainë, ndërsa Kievi përballet me një nga momentet e tij më të vështira të mbrojtjes nga sulmet e reja të Rusia.
Sekretari Austin dhe rreth 50 shefa të mbrojtjes nga Evropa dhe e gjithë bota zhvilluan një takim virtual të hënën për të koordinuar më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën ndërsa ajo përpiqet të zmbraps një ofensivë ruse në verilindje. Ukraina gjithashtu ka filluar një sulm të madh në Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.
“Ne po takohemi në një moment sfide”, tha zoti Austin, duke vënë në dukje se sulmi i ri i Rusisë në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, tregoi se sa jetik është angazhimi i aleatëve për të ndihmuar Kievin. Sekretari Austin u zotua të vazhdojë transferimin e armëve amerikane në Ukrainë “javë pas jave”.
Sekretari Austin u tha gazetarëve se në takim u bisedua mbi nevojën kritike të Ukrainës për sistemet e mbrojtjes ajrore, të cilat ai tha se po ndihmojnë Kievin të neutralizojë sulmet e ushtrisë ruse.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për t’u siguruar që Ukraina të kontrollojë hapësirën e saj ajrore dhe të mund të mbrojë qytetarët e saj dhe infrastrukturën e saj civile”, tha ai pas përfundimit të takimit.
Duke folur së bashku me Sekretarin Austin, shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali CQ Brown tha se ndërsa nuk ka plane për një kthim të shpejtë në Ukrainë të ekipeve amerikane për të trajnuar ushtrinë ukrainase, Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë këtë pas luftës.
“Sapo ky konflikt të përfundojë dhe sapo të jemi në një situatë më të mirë, atëherë mendoj se ne do të dërgojmë sërish atje ekipet tona të trajnimit ushtarak”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara nuk njoftuan për ndihmë të re ushtarake të hënën, edhe pse forcat ukrainase vazhdojnë të ankohen se transferimi i armëve po bëhet me një ritëm të ngadaltë. Zyrtarët e Pentagonit kanë thënë se armët, tashmë të pozicionuara në Evropë filluan të lëviznin në drejtim të Ukrainës menjëherë pas miratimit nga Kongresi të ndihmës amerikane prej 61 miliardë dollarësh për Kievin në fund të prillit.
Nuk është ende e qartë sasia e armëve të reja që tashmë kanë mbërritur në vijat e frontit, ku trupat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj pozicioneve ukrainase.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten gjatë një vizite në Kinë se ofensiva e Moskës në rajonin verilindor të Kharkivit synon të krijojë një zonë sigurie dhe se nuk ka plane për pushtimin e qytetit.
Trupat ukrainase janë angazhuar në luftimet për të ndalur përparimin e forcave ruse në rajonin e Kharkivit, duke rritur gjithashtu sulmet e tyre ofensive në Krime, përfshirë infrastrukturën ushtarake në brigjet e Detit të Zi dhe në qytetin e Sevastopolit, të pushtuar nga Rusia.
Ukraina është ndeshur me vështirësi në përpjekjet për të dërguar trupa të mjaftueshme në vijat e frontit, ndërsa lufta tashmë ka hyrë në vitin e saj të tretë. Në një përpjekje për të rritur numrin e trupave, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi dy ligje, të cilat do t’i hapin rrugën rekrutimit të të burgosurve në ushtri dhe pesëfishimit të gjobat ndaj atyre që shmangin mobilizimin ushtarak. Ligji i debatueshëm i mobilizimit ushtarak hyn në fuqi të shtunën.
(Zëri i Amerikës)