Për çka diskutuan Lajçak dhe krerët e shtetit të Kosovës?

Prishtinë, 26 nëntor 2021 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, qëndroi të enjten në Prishtinë, ku u takua me autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës.

Pas takimeve, Lajçak tha se se ka hapësirë për progres në procesin e dialogut mes Kosovws e Serbisw, tëcilin ai e quajti proces “me rëndësi strategjike” për gjithë Bashkimin Evropian.

Lajçak tha se në takimet meautoritetet e Kosovës ka diskutuar për një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai bwri tw ditur se Bashkimi Evropian shpreson qw ky takim do të realizohet para fundit të vitit.

Lajçak tha se nuk është i rëndësishëm vetëm caktimi i takimit, por edhe rezultati mund të ketë ai.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak, pas takimit me kryeministrin Kurti.

Ai shtoi se palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe se Bashkimi Evropian vetëm duhet të sigurohet që “takimi do të prodhojë rezultate”.

Gjatë takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Lajçak tha se ka nevojë për aktivizim të Bashkimit Evropian në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa Presidentja Osmani deklaroi se Kosova është palë konstruktive në dialogun me Serbinë dhe se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Zonja Osmani theksoi se epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

(r.m.)