Veprimtari përkujtimore, përshpirtje te “Bijtë e Shqipes” për zonjën Elvira Budo: gjithënjë e dashur dhe e qeshur me të gjithë – e respektuar nga të gjithë.
Nga dr. Sadik Elshani
Në ditën e Vitit të Ri na vjen një lajm që nuk e prisnim, një lajm i hidhur: në Holandë ka ndërruar jetë zonja Elvira Budo, anëtare shumëvjecare e shoqatës, anëtare e kryesisë dhe nismëtare e themelimit të shoqatës Mbarëshqiptare“Bijtë e shqipes” në Philadelphia. Zonja Elvira Budo ka lindur në Gjirokastër. Ka mbaruar studimet në fakultetin filologji – histori, dega, gjuhë angleze, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në Shqipëri ka punuar si mësuese dhe përkthyese në institucione të rëndësishme shtetërore. Në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar familjarisht vendoset në Filadelfia, ku qëndron gjer në qershor të vitit 2018. Për shkak të punës së vajzës dhe dhëndrit ata shpërngulen në Holandë. Kjo ndarje ishte e rëndë për Elvirën dhe bashkëshortin e saj, dr. Besnikun, por ishte e rëndë edhe për ne, sepse po ndaheshim me anëtarët më të devotshëm të shoqatës sonë. Por, edhe më e rëndë e më e hidhur është ndarja e Elvirës nga kjo botë, fjalët nuk mund ta shprehin dhimbjen tonë.
Zonja Elvira Budo, njëra nga nismëtaret e shoqatës dhe shkollës shqipe në Philadelphia
Ajo ishte një zonjë fisnike, me zemër të bardhë e shpirt të paster, atdhetare, shumë pozitive – shembëlltyrë e mirësisë njerëzore. Gjithmonë shumë miqësore, e dashur, e qeshur me të gjithë dhe e respektuar nga të gjithë. E cilësonte ajo ndjenja e atdhedashurisë, sakrificës, përkushtimi për të bërë diçka më tepër për atdheun, bashkësinë shqiptaro – amerikane të Philadelphias, për të zhvilluar veprimtari të përbashkëta si një komunitet i organizuar mirë. Ishte mjaft e guximshme dhe e pakompromis kur duhej të bëhej diçka në të mirë të shoqatës, komunitetit. Si e tillë, ajo ishte pjesëtare e grupit nismëtar për themelimin e shqatës sonë, ndërsa dy vite më vonë Elvira do të jetë edhe nismëtare për hapjen e shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, ku fëmijët tanë mësojnë gjuhët tonë të bukur shqipe, njihen me historinë, kulturën e traditat tona kombëtare, brumosen me ndjenjat e atdhedashurisë. Për disa vite me radhë Elvira punoi edhe si mësuese e kësaj shkolle. Falë përkushtimit të Elvirës e mësueseve tona atdhetare, shkolla jonë pati nje rrugetim të lakmueshëm ndër vite dhe këtë vit feston 20 vjetorin e saj.
Elvira kishte edhe mjaft angazhime familjare: kujdesej për babain e moshuar, vajzat, nipin e mbesat. U vinte në ndihmë edhe fqinjve e pjesëtarëve të komunitetit tonë kur kishin ndonjë nevojë. Por, ajo dhe bashkëshorti i saj kurrë nuk mungonin në veprimtaritë e shumta që organizonte (dhe vazhdon të organizojë) shoqata jonë. Prania e tyre gjithmonë krijonte një atmosferë të ngrohtë familjare, bisedat me ta gjithmonë ishin të frytshme, të përzemërta e shumë njerëzore. Elvira në shoqatën tonë ishte një zë i fuqishëm i arsyes, tolerancës e bashkimit. Ka bërë një punë të mirë në shtimin e anëtarëve të rinj të shoqatës dhe sidomos afrimin e angazhimin e grave në veprimtaritë tona, nxitjen e nënave për t’i sjellë fëmijët në shkollën shqipe. Po ashtu, ajo ishte e preokupuar edhe për angazhimin e rinisë në shoqatë. Gjithmonë thoshte: “Të bëjmë diçka për rininë”.
Veprimtari përkujtimore, përshpirtje për Elvirën
Duke patur para syshë këto që u cekën më lart, shoqata “Bijtë e shqipes” vendosi që ditën e shtunë, më 27 janar, të organizojë një veprimtari përkujtimore, përshpirtje për këtë zonjë të nderaur, engjëll, siç e quajti zonja Tatjana Vero. Në këtë veprimtari merrnin pjesë anëtarë të shoqatës e komunitetit tonë, miq të familjes Budo. Merrte pjesë edhe vëllai i Elvirës, Pirro Duka me të birin. Pasi e vlerësoi lart personalitetin, punën dhe angazhimin e zonjës Budo në shoqatë, kryetari, z. Dritan Matraku u shpreh se, edhe pse ndiejmë dhimbje të madhe, sot nuk jemi mbledhur për ta vajtuar Elvirën, por për ta festuar jetën e saj, “celebrating the life”, siç thonë këtu në Amerikë për raste të tilla. Por, edhe për të ndarë me njëri – tjetrin kujtimet tona, çastet e lumtura të kaluara së bashku. Janë këto çaste që i japin kuptim jetës e që do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë.
Fjalën e rastit e mbajti z. Llazar Vero, edhe ky pjesëtar i grupit themelues, anëtar i kryesisë e kryetar disavjeçarë i shoqatës, mik i ngushtë i familjes Budo. Në fjalën e tij ai theksoi virtytet e larta atdhetare e njerëzore,angazhimin e Elvirës në familje dhe në të gjitha veprimtaritë e shoqatës “për ta bërë Qendrën Kulturore të Shoqatës një vatër të ngrohtë dhe të dashur për të gjithë bashkatdhetarët”. “U nda, por la pas një emër të dashur, të respektuar, të atdhetares së përkushtuar, të bashkëshortes ideale, të nënës, motrës, shoqes fjalëmbël…Të faleminderit Elvira për gjthçka. I paharruar kujtimi juaj i nderuar”! – e përfundoi fjalën e tij, z. Vero.
I vëllai i Elvirës, z. Pirro Duka, në fillimtë fjalës së tij falenderoi të pranishmit dhe shoqatën për kujdesin e organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimorre për të motren. Me të pranishmit ai i ndau disa kujtime për Elvirën, nga fëmijëria e jeta në familje. Ai e ceku përkushtimin e Elvirës për t’u ndihmuar njerëzve në nevojë, për të bërë mirë dhe solli shembullin e luftës së fundit në Kosovë, numrin e madh të refugjtëve kosovarë në Shqipëri që kishin nevojë për t’u strehuar diku.. Elvira ua kishte lënë çelësat e banesës dhe në banesën e saj ishin strehuar 40 -50 bashkëkombës nga Kosova. Meqenëse ra fjala për Kosovën, më duhet të përmend këtu se Elvira dhe bashkëshorti i saj, dr. Besniku, ishin përkrahës të flaktë të çështjes së Kosovës, gjithmonë të preokupuar me fatet e saj. Lidhjet e tyre me Kosovën janë të kahershme, ata janë rritur me rrëfimet për Kosovën. Babai i Elvirës, z. Koço Duka, ka qenë mik i ngushtë i Qazim Bllacës, figurë e njohur kombëtare e atdhetar i flaktë i çështjes së Kosovës dhe asja shqiptare në përgjithësi. Ndërsa daja i dr. Besnikut, në periudhën e viteve 1941 – 1944 ka qenë nëpunës në Kosovë dhe i ka treguar atij shumë gjëra për Kosovën dhe historinë e saj të lavdishme. Bisedat tona kryesisht përqëndroheshin rreth gjendjes në Kosovë, ruajtjen e pavarësisë dhe të ardhmen e saj.
Zonja Laureta Petoshati, nga Vlora, na kishte dërguar disa fjalë për këtë veprimtari për ta kujtuar e nderuar figurën e Elvirës, përkushtimin e guximin e saj. Edhe ajo rrëfen rastet kur ajo (Laureta) dhe veprimtari tjetër i shoqatës, z. Sotiraq Pema. ndërronin 2 – 3 atobusë për të marrë pjesë në veprimtaritë e shoqatës. Elvira e vërente këtë, ndiente dhimbje për ta dhe u thoshte: “Rrini ore të uruar, se po vij unë me makinë”. E tillë ishte Elvira, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar për të sakrifikuar. (Laureta Petoshati ka qenë pjesëtare e grupit themelues të shoqatës, por pak kohë pas themelimit të saj, së bashku me familjen janë kthyer në Shqipëri, Vlorë). E falenderojmë Lauretën për kujtimet e saj, fjalët e mira për Elvirën dhe përshëndetjen për shoqatën, “burra dhe gra me aftësi e virtyte të jashtëzakonshme, mbi të gjitha humanë dhe patriotë”.
Në vazhdim, për figurën e Elvirës floën edhe zonja Tatjana Vero, zotërinjtë: Eqerem Murataj, Petrit Zanaj, Bujar Gjoka, Tom Tola, Sinan Ruçi, Mikel Gjogu, Sadik Elshani, etj. Të gjithë i thanë fjalët më të mira dhe me të pranishmit i ndanë kujtimet e tyre nga takimet që kishin pasur me Elvirën. Ishin fjalë zemre të mbështjella me vellon e dhimbjes për humbjen e një ntareje të dashur e të devotshme si Elvira.
Për ta plotësuar e për ta përmbyllur këtë veprimtari përkujtimore ishin përzgjedhur disa video: një pjesë nga simfonia e tretë e J. Bramsit, pocco allegretto – një pjsë mjaft e bukur muzikore, e ndjeshme, nostalgjike; një video me pamje nga qyteti i Gjirokastrës, vendlindja e Elvirës dhe në fund, kënga “Gjirokastra ime”, kënduar nga këngëtari i njohur gjirokastrit, Petrit Lulo, njëherësh edhe mik i familjes Budo.
Në fund, sipas traditës së shoqatës sonë dhe traditës shqiptare, u shtrua një koktej, me kafe, raki e ca ushqime – një kafshatë bukë për Elvirën. Edhe gjatë këtij kokteji bisedat vazhduan me kujtimet për Elvirën. Secili kishte diçka të mirë për të thënë.
Edhe një herë u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes Budo: dr. Besnikut, vajzave, vellezërve, nipit e mbesave, dhëndrit.
Është vështirë të thuhet lamtumirë për rrugën e pakthimit. Të pikëlluar që u largove nga kjo botë, por të lumtur që të kishim në mesin tonë, që ishe e do të mbetesh gjithmonë pjesë e jetës sonë. U prehsh në paqe Elvira jonë e dashur, gjithmonë në zemrat e kujtimet tona!
Filadelfia , më 28 janar 2024
Sadik Elshani është ish-kryetar i Shoqatës Marëshqiptare “Bijtë e shqipes.