“Gjaku i djemve të mi i qoftë për hajër kombit shqiptar”, kumbuan fjalët e Ahmet Bytyqit, babait të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të rënë për atdhe. Ishte edhe çasti më emocional dhe më domethënës i darkës së organizuar nga gazeta “Illyria” në New York, kushtuar 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Ishte një darkë për të përkujtuar ata që nuk ishin më gjallë për të festuar këtë 5-vjetor të pavarësisë dhe nuk kishte simbol më domethënës se dalja në tribunë e babait të tre ushtarakëve të Batalionit “Atlantiku” që nuk u kthyen më.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë kujtimet dhe mbresat fillojnë të humbasin betejën me harresën. Për një brez të rinjsh shqiptarë në SHBA e në atdhe, regjimi i Millosheviçit, koha e rezistencës me një shtet paralel e ajo me armë në duar, është diçka që e kanë më shumë me të treguar sesa e kanë përjetuar.
Shumë protagonistë të atyre viteve kanë filluar me kohë t’i rivlerësojnë dhe ndryshojnë faktet e të vërtetat e asaj kohe. Politika e interesat e ditës bëhen më të rëndësishme se ajo që ka ndodhur në të vërtetë. Vlerat ulen e ngrihen, figurat trumbetohen e përbalten, medaljet dhe mohimet veprojnë në bazë të ligjeve të tjera që shpesh nuk respektojnë atë që ka ndodhur vërtet.
Nuk është çudi që shumë shqiptarë përplasen, në media dhe përtej, për të vërtetat e kohës së Turqisë, Mbretit Zog e komunizmit. Provo të gjesh dy njerëz që e tregojnë njësoj se çfarë ka ndodhur vetëm para pak vitesh në Kosovë. Provo të gjesh dikë që ka folur njësoj në 1999 me atë çfarë thotë tani lidhur me historinë dhe figurat e saj. Historia më shumë se ajo që ka ndodhur, është ajo që tregohet.
Në këtë realitet që të shformohet pa shumë respekt përpara syve, varret e tri vëllezërve Bytyçi dhe dëshmorëve të tjerë si ata janë e vetmja gjë që na mbetet e pandryshueshme. E vetmja e vërtetë absolute që të paktën në ditët tona ende na ofron një shembull e një të vërtetë për t’u mbajtur e për të besuar në diçka.
Historia e njerëzve që lënë gjithshka në emër të një ideali sjell një kontrast të ftohtë me ata që nuk guxojnë të rrezikojnë një vend pune, që nuk guxojnë të heqin dorë nga vjedhja e korrupsioni, që nuk guxojnë të denoncojnë vjedhjen e një populli, që nuk guxojnë të flasin të vërtetën as me miqtë tanë në Perëndim.
Sot, kur shihet si pa mend në kokë dikush që nuk pranon të përfitojë materialisht e politikisht, që rrezikon interest personale e familjare për një ideal, çfarë mendohet vërtet për ata njerëz që bënë sakrificën maksimale? Kush është opinioni i vërtetë privat përtej maskave të shëmtuara të nderimit publik, për ata mijëra vetë ditët mbaruan përgjithmonë? Në moralin e sotëm mbizotërues të shoqërisë sonë shqiptare, në atdhe po edhe këtu në diasporë, këta dëshmorë mund të nderohen me fjalë, por me veprime ata fyen dita ditës.
Ky banalizim moral shoqëror është deri diku i natyrshëm. Zhdukja e kërcënimit fatal mbyll epokën e heroizmit si në filma dhe çel atë të të përditshmes prozaike. Një faktor vendimtar është ai i pluhurit të harresës. Në një farë mënyrë çdo ditë në mëngjez, njerëzit e fillojnë jetën nga e para.
Ndërsa procesi i edukimit të një shoqërie është i ngadalshëm dhe i ndërlikuar, njerëzit që janë bekuar apo mallkuar me një kujtesë e karakter të fortë, ata që nuk jetojnë vetëm për të ngrënë e për të pirë, që nuk dehen me një kompliment e nuk shiten për një shtëpi e një makinë, duhet më së paku të mos rreshtin së mbajturi gjallë shembujt gati epikë të pak viteve më parë, të ritregojnë historinë ashtu si ka qenë dhe jo ashtu si e kërkojnë konjukturat.
Kjo është njëkohësisht me e lehtë dhe më e vështirë sesa duket. Për organe të medias si “Illyria” është ajo çfarë dallon mes përgjegjshmërisë dhe misionit historik nga njëra anë dhe burracakërisë dhe përvjedhjes së identitetit nga ana tjetër.
Koha për të marrë armët në duar mbase ka ikur, por ajo për të dëshmuar karakter dhe për të bërë sakrifica mbetet në kulm të saj.
Festa e 16 shkurtit, e organizuar nga “Illyria”, ishte model jo vetëm se ishte nga më të organizuarat në komunitet në vitet e fundit, po se u festua pavarësia e Kosovësduke reflektuar për rrugën e historisë nëpër të cilën ecën shqiptarët nga mesi i viteve 80 e deri në arritjen e pavarësisë.
Një dokumentar që e realizuam me Andamion Muratajn dhe aktorin James Biberaj, siç ishte menduar dhe propozuar nga botuesi Vehbi Bajrami, pasqyronte pikërisht këtë nevojë dhe kërkesë të kohës.
Do të ishte e padrejtë që darka si këto t’i kushtoheshin një njeriu të vetëm apo të nderoheshin vetëm dy-tri figura. Një rrugëtim i tërë duhej nderuar e rikujtuar. Nga orët e errëta të diktaturës millosheviçiane te shkurti i vitit 2008, janë një numër etapash, që nuk i ngjajnë shumë njëra-tjetrës e që nuk mund të simbolizohen nga një person i vetëm.
Ka qenë një rrugëtim historik, në të cilin shqiptarët e Amerikës kanë qenë bashkudhëtarë e nganjëherë edhe udhërrëfyes. Të bekuar me mundësinë për të jetuar në një vend që mbizotëron në komunitetin ndërkombëtar, shqiptarët nuk u druan në atë kohë të thonin të vërtetat që dinin.
Në raste festash si këto, nuk ka tregues më të bukur të virtytit të mirënjohjes sesa ai i nderimit të atyre që nuk janë më dhe nuk të shohin. Apo se ai i nderimit të atyre që na hapën derën dhe na dëgjuan në një kohë kur shumëkush ose nuk e dinte se ku ishte Kosova ose mendonte se ishte një çmenduri të vihej në dyshim interesat amerikane në Jugosllavi.
Mbështetja amerikane nuk ishte thjesht një mbështetje intelektuale, profesorësh e dashamirësish si ajo fjala vjen për Tibetin në Kinë. Ajo u kthye shumë shpejt në një linjë politike e qeverisë amerikane duke filluar që nga Presidenti Bush Sr në vitin 1992. Nuk mund të nderosh procesin që çoi Kosovën nga harresa e mosnjohja totale në pavarësi, pa nderuar politikën e pandryshuar të katër presidentëve të njëpasnjëshëm amerikanë.
Dikush pyeti para disa ditësh nëse do të vinte Presidenti Obama në festë meqë po e nderonim. Është pak a shumë mentaliteti i të respektuarit vetëm në sy e faqe e të ofenduarit në mungesë, apo sporti i preferuar në shoqërinë tonë të njerëzve që t’i kesh miq të prishin punë e t’i kesh armiq…
Ka një shprehje të urtë populli shqiptar, nga koha kur besojmë se të urtët ua kalonin mendjetharëve që thotë se “me një litar nuk lidhet i gjithë pylli”. Një festë kushtuar pavarësisë nuk mund të bëhet për dy-tre njerëz, po ashtu sa nuk mund t’i nderojë dot të gjithë ata që e meritojnë.
Figurat që nderoheshin jo rrallë janë të konfliktuara me njëra-tjetrën, por të diskriminosh njërën në favor të tjetrës është krim ndaj historisë. Disa njerëz që kanë kontribuar shumë kanë rënë më vonë pre e ngasjeve njerëzore e megjithatë, ata nderohen për atë që kanë bërë kur ushtoi kushtrimi i historisë.
Është veçanërisht e vështirë ta shkruash e ta kujtosh ndershmërisht një epokë historike kur ajo është ende në vijim, kur figurat e saj ende nuk e kanë mbaruar rrugëtimin e tyre të jetës dhe kanë ende kohë për të na zhgënjyer e turpëruar, apo për të na çuditur e për të na bërë pendohemi për mënyrën se si i kemi përfolur.
Në këtë kontekst, darka e të shtunës dhe këto rreshta e faqe të gazetës “Illyria” nuk mund të jenë përfundimtare. Do t’i rikthehemi vazhdimisht rrugëtimit historik për ta matur e rimatur atë me kutin e kohës, duke ndrequr vetëveten apo kujtesën, me shpresën se nuk po i bëjmë hile vetes dhe shoqërisë.
Askush nuk e ka monopolin e kujtesës dhe historisë, e “Illyria” është nga ato institucionet e pakta të ndërgjegjshme të kombit shqiptar që nuk pretendon se ka në duar lapsin e artë që do të gërvishtë në mënyrë finale memorien e komunitetit dhe botës shqiptare.
Po mes korit të kukuvajkave, këngëve të sirenave, valles së ngjyrave të kameleonëve politikë, “Illyria” do të vijojë të thotë fjalën e saj, të tregojë të vërtetat e saj, të çlirohet pak nga pak nga takti i korrektesës politike të ditës në ndihmë të ndërgjegjes kombëtare e historike.
Ashtu si imazhi i paraqitur në librin e fundit të James Pettiferit të atij kosovarit kryengritës, i vetmuar ndanë xhadesë me një pushkë në krah me guximin në gji, që nuk ka dalë aty se e di që do ta fituar luftën, por se është detyra e misioni që i ka ngarkuar vetes.
Po darka e të shtunës, nuk ishte një paradë vetmie. Përkundrazi nga pjesëmarrja e emocionet, nga solidariteti njerëzor e ndërgjegjësimi historik ishte inkurajimi më i madh se edhe në një kohë si kjo e jona, nuk jemi vetëm ndaj “xhadesë së historisë”. Trimi i mirë ka shokë shumë. (Fotografitë nga Beqir Sina)