Tiranë, 1 shtator 2023 – Rreth 18 milionë euro parashikohet të shpenzohen 7 vitet e ardhshme për zbatimin e strategjisë ndërsektoriale “Për mbrojtjen e viktimave të krimit”.
Strategjia e publikuar për konsultim nga Ministria e Drejtësisë do të përfshijë 11 masa dhe veprime për të fuqizuar pozitën e viktimave të krimit në sistemin e drejtësisë penale, ku viktimat e krimit të mund të raportojnë krimin, t’u garantohet e drejta e kompensimit të dëmit dhe të marrin shërbimet e nevojshme me qëllim rehabilitimin e tyre. Parandalimi i riviktimizimit dhe viktimizimi dytësor i viktimave është një nga synimet e kësaj strategjie.
Plani i veprimit për zbatimin e kësaj strategjie do të shoqërohet me kosto shpenzimesh në vlerën e 1,9 miliardë lekëve apo 17,9 milionë eurove përgjatë periudhës 2024 – 2030.
Për periudhën afatmesme 2024-2026, kostoja është vlerësuar rreth 581,2 milionë lekë, të cilat janë planifikuar në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2023-2025, të institucioneve përgjegjëse për realizimin e masave.
Për periudhën 2027-2030, kostoja indikative për zbatimin e Strategjisë është rreth 1,1 miliardë lekë. Për këtë periudhë është supozuar që për aktivitete të caktuara në Planin e Veprimit do të jenë në dispozicion fondet nga Buxheti i Shtetit për shpenzime korente dhe investime.
Hendeku financiar për të gjithë periudhën 2024-2030 është 360,5 milionë lekë ose 18,3% e kostove indikative. Për periudhën 2024-2026, buxheti i shtetit pritet të financojë 28,9% të kostove indikative totale të zbatimit të planit, ndërsa 52,2% janë shpenzimet e planifikuara për periudhën 2027-2030. Nga financime të huaja parashikohen të mbulohen 0,6% të shpenzimeve të përgjithshme.
Në dokument theksohet se plani i veprimit do të rishikohet pas 3 vitesh (në vitin 2027) për të përshtatur progresin në zbatimin e masave konform nevojave dhe shpenzimeve buxhetore afatmesme. Efektet e masave zbatuese do të maten për herë të parë në 2024.
Për masat e planit që janë të pambuluara financiarisht, MD dhe institucionet e tjera përgjegjëse do të planifikojnë nevojat për financime buxhetore nëpërmjet programeve buxhetore përkatëse, si pjesë e procesit të planifikimit të programit afatmesëm buxhetor dhe buxhetit vjetor, si dhe do të negociojnë me donatorë të ndryshëm për t’i bashkëfinancuar disa aktivitete.