Për një Evropë të plotë, të lirë, dhe në paqe

Senatori Menendez i kërkon Parlamentit Europian ratifikimin dhe zbatimin e përshpejtuar të marrëveshjes së liberalizimit të vizave për Kosovën

Nga Ruben Avxhiu

Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan, Robert Menendez i ka dërguar një letër Parlamentit Europian në të cilën kërkon nga Bashkimi European liberalizimin sa më të shpejtë të vizave me Kosovën.

Një kopje e letrës, e cila i drejtohet Presidentes së PE-së, Roberta Metsola, në Bruksel të Belgjikës, i është dërguar edhe Joseph DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit drejtues të Ligës Qytetare Amerikane, që ka lobuar intensivisht me senatorin e njohur për çështjet e Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan.

Duke vlerësuar marrëveshjen e arritur për heqjen më në fund të vizave për Kosovën nga negociatorët përkatës të Parlamentit, Komisionit, dhe Këshillit Evropian, Senatori Menendez i kërkon Parlamentit që ta ratifikojë me procedurë të përshpejtuar.

Ai e sheh hapjen e dyerve ndaj Kosovës si një kurorëzim të “një Europe të plotë, të lirë, dhe në paqe”.

Letra e tij është vlerësuar nga Liga Qytetare si “një shembull tjetër i veprimeve të fuqishme të Senatorit Menendez në të mirë të Kosovës dhe hapave që duhet ndërmarrë për të siguruar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”, në një mesazh të shpërndarë nga dy drejtuesit e Ligës, Shirley Cloyes DioGuardi Këshilltare për Cështje të Ballkanit dhe Joe DioGuardi, President

Nuk është hera e parë që Senatori Menendez shprehet pozitivisht për Kosovën. Vetëm pak javë më parë, gjatë një takimi me veprimtarë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane, ai foli hapur kundër krijimit të një Asocasioni të Komunave Serbe në Kosovë, në mënyrën se si e kërkon Beogradi.

Gjatë Samitit vjetor të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ai pati rastin të takohet dhe të bisedojë me kryeministrin Albin Kurti dhe të shprehë edhe njëherë angazhimin e tij për paqen në Ballkan dhe sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Letra e plotë e Senatorit Menendez vijon më poshtë:

“E dashur Presidente Metsola, ju shkruaj për t’ju shprehur mbështetjen time për liberalizimin e vizave të Bashkimit Europian me Kosovën dhe vlerësoj marrëveshjen që negociatorët e Parlamentit Europian, Komisionit, dhe Këshillit arritën në 14 dhjetor për të lejuar qytetarët me pasaporta të Kosovës që të udhëtojnë pa viza për në Bashkimin European duke filluar nga 1 janari 2024. Shpresoj se Parlamenti Europian do ta ratifikojë me shpejtësi këtë propozim dhe do ta zbatojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndonëse Komisioni Europian ka verifikuar se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kërkesat për një marrëveshje liberalizimi të vizave në korrik 2018, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të udhëtojë në Bashkimin Europian pa viza. Ky kufizim vazhdon të ndikojë kosovarët të afërmit e të cilëve jetojnë në BE, si dhe kufizon mundësitë për të thelluar mundësitë për bashkëpunim në biznes dhe turizëm.

Bashkimi Europian ka treguar rol të vërtetë udhëheqjeje me ndihmën që u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve tyë Partneritetit Lindor me BE-në për të çuar përpara reformat në qeverisje dhe ekonomi. Unë do të vazhdoj të mbështes nismat e qeverisë amerikane në mbështetje të këtyre reformave. Shpresoj se Parlamenti Europian do të ndërmarrë hapin e radhës për të siguruar një Evropë të plotë, të lirë, dhe në paqe duke e bërë liberalizimin e vizave më Kosovën një realitet këtë vit.

Faleminderit për konsideratën tuaj dhe për bashkëpunimin e ngushtë.

Sinqerisht,

Robert Menendez,

Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara.”

Pamje nga takimi i fundit me Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane