Tiranë, 13 korrik 2021 – Në Tiranë, u përcoll sot me nderime nga qindra qytetarë për në banesën e fundit poeti dhe veprimtari i njohur i të drejtave të njeriut Uran Kostreci, ish i burgosur politik për afro 23 vjet gjatë regjimit komunist.
Pas burgimit të gjatë për motive politike, zoti Kostreci botoi një seri vëllimesh me poezi dhe proza.
Ai u bë në 30 viet e fundit një nga të dënuarit politikë më të palodhur në zbardhjen dhe denoncimin e krimeve të komunizmit, si dhe në mbajtjen gjallë të kujtesës së shoqërisë për këto krime të diktaturës.
Poeti Uran Kostreci u përcoll nga miqtë e tij mes lotëve, respektit dhe kujtimeve me një ceremoni të thjeshtë në mjediset e Institutit të të Pëndjekurve Politikë.
Ai ishte një nga pjesëtarët dhe zërat e tyre më buçitës, njeri pa hakmarrje edhe pas 23 vjet burg të padrejtë, poet me zemër të madhe, si e vlerësojnë miqtë e tij.
“Edhe pse kishte kaluar gjithë atë kalvar vuajtjesh, ai kishte brenda vetes edhe humorin. Kishte shpirt poeti; ai denoncoi krimet e komunizmit nëpërmjet vargjeve. Kudo që kalonte e fliste, Urani predikonte paqe mes nesh. Më bënte përshtypj si nuk kishte mllef hakmarrje. Gjithmonë nuk fliste për vete, por u fliste të rinjve, që nuk e njohën komunizmin, që ta mbrojnë lirnë dhe demokracinë. Ishte sentimental, i pëlqente e bukura. Këtu sot duhet të ishin të gjithë, pavarësisht bindjeve politike. Urani është njeri me vlera, një njeri që ka dhënë kontribute për demokracinë. Demokracia është për të gjithë; të majtët e të djathtët. Tek njerëz si Urani mendoj se duhet të vijnë të gjithë e të përulen. Fatkeqësisht sot kjo nuk ndodhi” – thotë ish i persekutuari politik Simon Miraka.
Në nderimet e lamtumirës së fundit për poetin Uran Kostreci, një nga ish të burgosurit politik më të spikatur, mori pjesë edhe Princ Leka Zogu II, trashëgimtar i familjes mbretërore të Shqipërisë.
Ai tha se shoqëria shqiptare duhet të jetë më shumë e vëmendshme dhe të kujdeset më shumë për të dënuarit politikë të regjimit komunist.
“Jemi këtu të gjithë të bashkuar duke kujtuar jetën dhe vuajtjet e jashtëzakonshme që ka patur familja Kostreci, por sidomos Uranit. 25 vjet burg. Nuk mund të imagjinoj që ne kemi sot një pjesë të shoqërisë sonë, që edhe pse ka qenë e persekutuar në kohën e regjimit komunist, është ende e persekutuar në këtë demokracinë që kemi. Ne duhet të kujdesimi, duhet të jemi më vigjilentë ndaj nevojave që ka shtresa e ish të persektuarve politikë në Shqipëri. Duhet të kemi vullnet dhe dëshirën tonë për të treguar të vërtetën historike, krimet e komunizmit, që kanë përjetuar jo vetëm ish shtresat e të persekutuarve politikë, por edhe gjithë shqiptarët. Shqipëria ka qenë një vend i izoluar, një vend që ka vuajtur jashtëzakonisht shumë për shkak të një mentaliteti që na ka mbyllur. Ne duhet të bëjmë kujdes që ato krime të mos na përsëriten në të ardhmen. Jam bashkuar me shumë miq e dashamirës për të respektuar jetën e Uranit, një mik i familjes tonë, një patriot që kanë dhënë jetën dhe sakrificat e tij për vendin tonë” – thotë trashëgimtari i familjes mbretërore Zogu.
Gjatë viteve të diktaturës Uran Kostreci u dënua tre herë dhe vuajti 22 vjet, 10 muaj, 1 javë burgim rë padrejtë të motivuar politikisht, për propagandë kundër regjimit komunist, përpjekje për t’u arratisur dhe mospajtime me zyrtarët e kohës. Ai mbahet mend nga miqtë për qëndresën ndaj regjimit komunist.
“Ikja e Uran Kostrecit nga kjo botë është një humbje e madhe për të gjithë ne. Ai është themelues i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë te Shqipërisë. Ishte kryeredaktori e botuesi i parë i gazetës “Liria”, gazetë e të përndjekurve politikë të Shqipërisë. Ishte në krye të Forumit për Dënimin e Gjenocidit Komunist në Shqipëri dhe ai ka meritën që akuzoi dhe mblodhi prova që çuan në të vetmin proces gjyqësor për krimet e komunizmit në Shqipëri, ku u akuzuan dhe dënuan krerët e lartë të diktaturës komuniste” – thotë drejtuesi i shoqatës antikomuniste të përndjekurve politikë, Nebil Çika.
Afro një të tretën e jetës së tij 83 vjëcare Uran Kostreci e kaloi në burgim, torturë, izolim, punë të detyruar, internim pas burgut dhe vështirësi të shumta. Por ai u thoshte miqve me krenari, komunistët nuk e ndryshuan dot; ai ishte dhe mbeti njeri i lirë dhe antikomunist.
“Sot është një ditë shumë e trishtë nga humbja e Uran Kostrecit për gjithë shqiptarët patriotë. Ndahemi nga një njeri me vlera të jashtëzakonshme me një dhumbje të dyfishtë; me vetëdijen se kemi humbur një kolos të qëndresës kundër diktaturës komuniste, një njeri që diti t’u përgjigjegj dhimbjes dhe torturave. Njeri me zemër të madhe që nuk u nënshtrua kurrë as në vitet e gjata të burgjeve të komunizmit, as pas daljes prej tyre ” – thotë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Uran Kostreci vlerësohet nga bashkëvuajtësit si një legjendë e rezistencës dhe e fjalës së lirë. Ai nuk lexoi kurrë një fjalim të detyruar, nuk pranoi kurrë mendime të imponuar nga zyrtarët, por shkroi dhe foli vetëm mendimet e tij të lira, shkroi sonete dhe fabula prej shpirtit të tij artistik.
“Uran Kotreci ishte njeri i jashtëzakonshëm, jeta dhe vepra e të cilit kërkon vëmendjen e shoqërisë për të mësuar prej tij. Në bisedat me nxënësit nëpër shkolla, ai nuk fliste kurrë për vuajtje personale, por fliste për diktaturën si dukuri dhe dëmet që i solli Shqipërisë. Ai bënte kritika racionale dhe përpiqej të ndikonte ndërgjegjen dhe ndjenjat e njerëzve me fakte të vërteta nga diktatura” – thotë Çelo Hoxha, drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit.
Uran Kostreci kishte diplomën e një mësuesi dhe zemrën e një nxënësi, buzëqeshjen e fëmije dhe durimin e një burri trim, pohuan bashkëvuajtës të tij. Ai ishte mbijetuesi i një kalvari vuajtjesh dhe rezistence antikomuniste.
Uran Kostreci ishte një i pabindur i pandreqshëm ndaj komunizmit, i lidhur këmbeduar për javë e muaj të tëra në qeli të izolimit brenda burgut për mosbindje, ai rekordman i mosbindjes në qeli izolimi, mbeti përsëri i lirë dhe me ëndrrën për demokraci të vërtetë.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)