Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Zyrat e azilit dhe filialet e USCIS-it kanë rinisur shërbimet jo-urgjente ku të interesuarit mund të paraqiten personalisht. Janë vendosur rregulla paraprake që kanë për qëllim të pengojnë përhapjen e koronavirusit në ambjentet përkatëse.
Nuk u lejohet hyrja në zyrat e USCIS-it personave që:
- Kanë ndonjë simptomë të KOVID-19-ës, ku përfshihen kolla, temperatura, vështirësitë në frymëmarrje, ndryshimet në aftësinë për të shijuar ose nuhatur apo lodhje (lista nuk është gjithëpërfshirëse);
- Gjatë 14 ditëve të fundit kanë qenë në kontakt të ngushtë me dikë që dihet ose dyshohet të ketë KOVID-19-ën;
- Janë udhëzuar nga mjeku përkatës, nga ndonjë autoritet në çështjet e shëndetit publik apo agjenci qeveritare që të rrinë në karantinë ose të vetë-izolohen ;
- Janë në pritje të rezultatit të testit të KOVID-19-ës.
Nëse keni temperaturë 38°C e lart, duhet të largoheni menjëherë nga ndërtesa. (Kjo nuk nënkupton qendrat ku bëhen aplikimet). Për të ricaktuar takimin, telefononi Qendrën e Kontaktit të USCIS-it në numrin 800-375-5283 (TTY 800-767-1833). Për të ricaktuar takimin me një zyrë të azilit politik, ju lutemi të ndiqni udhëzimet në njoftimin që keni marrë për intervistë. Nuk mund të hyni në ndërtesë më parë se 15 minuta përpara takimit (30 minuta në rastin e ceremonive të natyralizimit). USCIS-i siguron dezinfektues për duart në të gjithë pikat hyrëse. Kur të futeni në ambjentet e USCIS-it, duhet të keni maskë mbrojtëse që mbulon gojën dhe hundën. USCIS-i nuk konsideron si maskë mbrojtëse mbështjellësen e qafës dhe të gojës, bandanat apo maskat me valvola. Nëse nuk e keni mbuluar fytyrën në mënyrën e duhur dhe të përshtatshme, USCIS-i mund t’ju ofrojë maskën e duhur mbrojtëse ose t’ju kërkojë të caktoni një datë të re takimi. Në ambjentet në fjalë do të ketë shenja dhe barriera fizike; duhet t’i kushtoni shumë vëmendje shenjave në fjalë për t’u siguruar që po i ndiqni siç duhet udhëzimet për mbajtjen e distancës sociale. Duhet gjithashtu t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve lidhur me shëndetin tuaj që do t’ju bëhen përpara se të hyni në ambjentet e ndërtesës. USCIS-i ju nxit që të sillni me vete një stilolaps tuajin me bojë blu ose të zezë. Njoftimet për takim do të përmbajnë udhëzime shtesë lidhur me vizitën e ambjenteve të USCIS-it.
Vizitorët, Avokatët dhe Përkthyesit Gojorë
Numri i vizitorëve kufizohet në aplikantin/ët, një avokat apo përfaqësues ligjor i autorizuar si dhe një person (që mund të jetë pjestar i familjes) që ofron ndihmë në rast se kemi të bëjmë me dikë me aftësi fizike të kufizuara. Avokatët apo përfaqësuesit ligjorë të autorizuar mund të shoqërojnë aplikantët gjatë intervistës ose të marrin pjesë nëpërmjet lidhjes telefonike. Nëse përfaqësuesi ligjor vendos që të marrë pjesë përmes lidhjes telefonike, aplikanti duhet ta njoftojë zyrtarin e emigracionit kur t’i vijë koha e intervistës dhe ky i fundit do ta kontaktojë përfaqësuesin ligjor duke marrë numrin që gjendet në formularin G-28 (Notice of Entry of Appearance of Attorney or Accredited Representative). Me përjashtim të rasteve kur USCIS-i i kërkon përkthyesit gojor që të jetë i pranishëm fizikisht në zyrë për intervistën në fjalë, përkthyesi gojor duhet të marrë masa që të jetë në dispozicion për të përkthyer gjatë intervistës nëpërmjet telefonit. Përkthyesi gojor duhet t’i japë aplikantët një numër telefoni të saktë në të cilin USCIS-i të mund ta marrë kur të fillojë intervista. Nëse vendoset që përkthyesi duhet të jetë i pranishëm fizikisht gjatë intervistës, por nuk është në dispozicion për ta bërë këtë gjë, intervista mund të ricaktohet për një herë tjetër.
Aplikimet dhe Peticionet
Shtyrjet e afateve të fundit për t’iu përgjigjur kërkesave të USCIS-it për dokumentacion shtesë si dhe refuzimet.
Përpara se të ndërmarrë çfarëdolloj veprimi, USCIS-i do t’i marrë në konsideratë përgjigjet e marra brenda 60 ditëve kalendarike në vijim të datës së duhur që është caktuar në kërkesat apo njoftimet e mëposhtme, gjithnjë nëse kërkesa apo njoftimi është lëshuar në cilëndo ditë brenda periudhës kohore 1 mars, 2020 – 30 qershor, 2021. Në këto kategori aplikimesh dhe vendimesh përfshihen:
- Kërkesat për Evidencë;
- Vazhdimet e Kërkesave për Evidencë (N-14);
- Njoftimi që jepet kur kanë ndërmend të refuzojnë kërkesën;
- Njoftimi që jepet kur kanë ndërmend të anullojnë vendimin fillestar;
- Njoftimi që jepet kur kanë ndërmend të heqin statusin që është dhënë;
- Njoftimi që jepet kur kanë ndërmend të mbyllin një qendër rajonale; dhe,
- Mocioni për të rihapur një aplikim N-400 kur egzistojnë rrethana të caktuara.
USCIS do të pranojë gjithashtu formularin I-290B, (Notice of Appeal or Motion), ose formularin N-336, (Request for a Hearing on a Decision in Naturalization Proceedings) nëse formulari është dorëzuar deri në 60 ditë nga data e lëshimit të vendimit dhe nëse USCIS-i e mori atë vendim diku nga 1 marsi, 2020, deri më 30 qershor, 2021.
Vonesat në njoftimet e marrjes së aplikimeve
Për shkak të pandemisë së KOVID 19-ës si dhe faktorëve të tjerë, USCIS-i ka patur vonesa në dërgimin e letrave që njoftojnë marrjen e disa prej aplikimeve dhe peticioneve të dërguara pranë zyrave të USCIS-it. Si pasojë e masave kufizuese për shkak të pandemisë, rritjes së numrit të aplikimeve dhe peticioneve të paraqitura, volumit të punës të shërbimeve postare si dhe faktorëve të tjerë të jashtëm, njoftimet që aplikimet apo peticionet e paraqitura siç duhet pranë USCIS-it janë marrë, mund të mbërrijnë me një vonesë që shkon nga 4 deri në 6 javë. Këto vonesa nuk do të kenë ndonjë ndikim në datën e marrjes së aplikimit. Vonesat mund të variojnë nga një zyrë e një vendi të caktuar tek tjetra.
Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]