Perëndimi e dënon festimin e festës antikushtetuese në Republikën Sërpska

Banjallukë, 9 janar 2024 – Entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, shënoi sot “ditën kombëtare”, një festë antikushtetuese, pavarësisht prej paralajmërimeve të Perëndimit për synimet e liderit Millorad Dodik për shkëputjen e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina.

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje që autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit, ndërkaq Bashkimi Evropian paralajmëroi pasoja për ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.

Nëntë janari shënon ditën kur serbët e Bosnjës më 1992, të cilët e kundërshtuan pavarësinë e Bosnjës pas shkëputjes së saj nga Jugosllavia, deklaruan shtetin e tyre të ndarë, duke nxitur një luftë ndëretnike e cila ua mori jetën më shumë se 100.000 njerëzve dhe u ndal vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, në fund të vitit 1995.

Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, Bosnja administrohet nga një Qeveri qendrore nën udhëheqjen e një federate boshnjake dhe kroate dhe një entiteti me shumicë serbe, i njohur si Republika Sërpska.

Në entitetin serb të Bosnjës, 9 janari shënohet si ditë kombëtare, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur atë festë antikushtetuese dy herë.

Kjo festë e ndaluar është shënuar në kryeqytetin e entitetit serb, Banjallukë, me marshime dhe parade të policisë së armatosur.

Në këtë festë marrin pjesë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, ministrat e Qeverisë së Serbisë, kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq, dhe patriarku e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Gjatë hapjes së festimeve, Dodik ia ndalu dekoratën më të lartë të entitetit serb kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka pranuar çmimin më të lartë të Republikës Sërpska. Është krenari e Republikës Sërpska që ta nderojë njeriun që na konsideron dhe respekton ne si realitet politik”, tha Dodik.

Gjatë dy vjetëve të fundit, Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është përpjekur vazhdimisht ta rrënojë autoritetin e Qeverisë qendrore të Bosnjës dhe të themelojë institucione paralele për t’i rritur kërcënimet e tij të kamotshme për ta ndarë vendin përherë.

Orban po ashtu është mik i ngushtë i Putinit dhe ka mosmarrëveshje me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, duke kundërshtuar sanksionet ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

SHBA: Autoritetet të hetojnë çdo shkelje të ligjit

Pas shënimit të 9 janarit, festës jokushtetuese në Republikën Sërpska, Shtetet e Bashkuara kërkuan hetim të këtyre ngjarjeve.

“Pritjet e SHBA-së janë që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë të hetojnë çdo shkelje të ligjit që ka ndodhur lidhur me festimin e Ditës së Republikës Sërpska më 9 janar”, u tha në deklaratë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se festa e 9 janarit është ilegale, duke paralajmëruar për pasoja të gjithë ata që shkelin integritetin e Bosnje e Hercegovinës.

Për ta mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.

Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq derisa sfidohen Marrëveshja për Paqe e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjës, tha Ambasada amerikane në Sarajevë.

“Stërvitja ishte pjesë e përpjekjeve e forcave amerikane për të shkëmbyer taktika, teknika dhe procedura me Forcat Ajrore boshnjake, si dhe e dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ta siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, tha ajo më 8 janar.

Në Banjallukë u mbajt një paradë ushtarake, ngjarje me të cilën përmbyllen edhe festimet për këtë ditë. Aty sërish morën pjesë anëtarët e klubit të motoçiklistëve “Ujqit e Natës”, i cili është i afërt me Putinin.

(REL)