Perëndimi pajtohet për përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT

Bruksel, 26 shkurt 2022 – Udhëheqësit e Komisionit Evropian, si edhe Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë njoftuar për vendosjen e sanksioneve të reja për Rusinë.

Ndër masat e reja do të jetë edhe përjashtimi i bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare, SWIFT.

“Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar në nivel global”, thuhet në deklaratë.

Sistemi SWIFT shërben si ndërmjetës dhe ekzekutues i transaksioneve financiare ndërmjet bankave në mbarë botën.

Rusia e shfrytëzon shumë këtë sIstem, sidomos për pagesat e gazit të eksportuar.

Përjashtimi nga SWIFT do ta dëmtojë ekonominë ruse, sepse transaksionet e përditshme do të duhet të bëhen direkt midis bankave, gjë që shkakton vonesa dhe  transaksione më të shtrenjta.

Një masë tjetër që pritet të vendoset është edhe një kufizim që do të pengojë Bankën Qendrore Ruse të vendosë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që e minojë ndikimin e sanksioneve të këtyre shteteve.

Komisionit Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara zotohen se do të veprojnë kundër njerëzve dhe subjekteve që ndihmojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse.

Ato paralajmërojnë edhe sanksione të tjera financiare ndaj zyrtarëve dhe elitave ruse të afërta me qeverinë ruse, si edhe ndaj familjeve të tyre. Po ashtu, paralajmërojnë se po shqyrtojnë edhe mundësitë për të identifikuar dhe për ngrirë pasuritë që ata mbajnë në juridiksionet e këtyre shteteve.

(REL)