Perëndimi si orientim elektoral

Nebil Çika

Nebil Çika

Me kë janë perëndimoret? Kjo është pyetja që bëjnë sot shumë qytetarë shqiptarë në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, përgjigjja e së cilës nuk është vështirë të merret me mend. Situata e acaruar politike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe emisarë të shumtë amerikanë e europiane kanë mbërritur këtu për të qetësuar gjakrat, por dhe fiksuar piketat e demokracisë, që shpeshherë politika jonë i kapërcen me apo pa dashje.

Deklarimet e emisarëve perëndimor flasin qartë kur thonë se liria e zgjedhjeve dhe standardet perëndimore të saj janë për ta interesi i vetëm pa u pozicionuar politikisht apo pa u bërë palë me alternativat politike shqiptare. Kjo është për sa u përket linjave zyrtare, pasi në linjat private politikanët perëndimorë nuk kanë ngurruar të deklarojnë preferencat e tyre politike, që edhe në këto zgjedhje pritet të jenë të rëndësishme për shkak të ndikimit të tyre tek elektorati shqiptar.

“Amerikanët e fillojnë me Ramën”, – mundohej të manipulonte opinionin publik një e përditshme afër PS-së për vizitën e një zyrtari të DASH-it këto ditë në Tiranë. Mund të fillonte edhe me një takim me Ramën, e megjithatë me gjithë simbolikën, që perëndimorët e vlerësojnë shumë, nuk do të thotë se radha përbën preferencë politike, aq më pak elektorale.

Radha e takimeve përcaktohet nga protokolli e natyrisht që kryeministri takohet para shefit të opozitës. “Bingon” që media pretendoi me takimin e z. Rama me të dërguarin e DASH-it, drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore Xhonatan Mur, ishte më shumë një zhvillim i detyruar nga mungesa e z. Berisha, i cili ndodhej në Britani për ceremoninë e varrimit të zonjës Theçer. Spekulimi i medies me këtë fakt vjen sigurisht për shkak të vëmendjes së përqendruar të elektoratit tek opinioni perëndimor për politikën shqiptare, një vëmendje e justifikuar plotësisht. Dihet orientimi perëndimor i shumicës së shqiptarëve dhe ndikimi i opinionit të këtyre vendeve për zhvillimet në Shqipëri, në veçanti atyre politike. Në zgjedhje ky opinion merr rëndësi specifike dhe shpeshherë ka qenë përcaktues në rezultatin e tyre, por kjo ka ndodhur edhe për shkak të brishtësisë së demokracisë të manifestuar në vitet e para të saj, gjë që hera-herës tenton të shfaqet edhe sot. Mirëpo kohët kanë ndryshuar dhe ndikimi perëndimor në zhvillimet politike shqiptare e ka humbur formën e tij të drejtpërdrejtë dhe është bërë gjithnjë e me diplomatik, gjë që e vështirëson identifikimin e tij nga qytetarët e thjeshtë e të painformuar në detaje për raportet e politikës shqiptare me të. Raportet politike të së djathtës shqiptare me Perëndimin euroatlantik kanë qenë më të afërta për shkaqe politike e historike. E djathta lindni si forcë antikomuniste dhe arriti ta kthente vendin në Perëndim pas një izolimi gjysmëshekullor nga e majta duke e degdisur padrejtësisht në Lindje nga Rusia në Kinë. Të djathtët kanë autorësinë e imponimit dhe aplikimit të demokracisë perëndimore në Shqipëri dhe ideologjikisht ata janë të besuarit njëherazi edhe të preferuarit e Perëndimit ideologjik, politik, por dhe ekonomik. Nuk është rastësi që të gjithë hapat e rëndësishëm të kthimit të Shqipërisë në familjen euroatlantike, e thënë ndryshe integrimi, janë realizuar gjatë qeverisjeve të djathta. Anëtarësimi në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave me zonën “Shegen”, afrimi në prag të kandidimit me BE-në etj. hapa të integrimit euroatlantik janë arritur në periudhat e qeverisura nga Partia Demokratike në këto dy dekada të demokracisë shqiptare. Krejt e kundërta ka ndodhur me të majtën e përfaqësuar kryesisht nga PS-ja. Për arsye ideologjike e historike marrëdhëniet e së majtës me Perëndimin kanë qenë të shtrënguara dhe në ngërç, gjë që është theksuar edhe nga qëndrimet antiperëndimore. Kështu, në vitin 1995 socialistët shqiptarë votuan kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Të njëjtën sjellje manifestuan edhe në rastin e anëtarësimit në NATO, për t’i vënë kapak me bllokimin e statusit të vendit kandidat për në BE duke mos votuar tri ligjet me shumicë të cilësuar, kushti i vetëm i paplotësuar për arritjen e këtij stadi të integrimit euroatlantik. Mirëpo as Shqipëria e as partnerët tanë euroatlantikë nuk kanë interes që e majta shqiptare të mbetet përjetësisht antiperëndimore, gjë që bën ta bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh për bëmat e tyre në këtë drejtim. Perëndimi e pranon retorikën e tyre politike për integrimin si realitet ndërkohë që nuk harron dot as origjinën politike e gjenetike dhe reminishencat e saj në periudhën socialiste të tyre. Fakti që ata jo vetëm nuk kanë realizuar, por kanë penguar apo vonuar hapat e kthimit në Perëndim të Shqipërisë është prova e madhe dhe e dukshme e ngërçit të së majtës shqiptare me Perëndimin euroatlantik .

Një aspekt i rëndësishëm i vështrimit të Perëndimit si pasqyrë politike e elektorale për Shqipërinë janë partneret respektivë të politikës shqiptare në boten perëndimore. Në këto kohë parazgjedhore kemi parë që në Shqipëri të mbërrijnë disa eksponentë të së majtës ndërkombëtare, si eurodeputeti socialist italian Xhani Pitela dhe sekretari i parë i Internacionales Socialiste, kiliani Luis Ajala, ndërkohë që ish-kryeministri socialist grek Jorgo Papandreu u ka dërguar mesazhe mbështetëse homologëve të tij shqiptarë, ndërsa partitë popullore eropiane kanë nxituar të shprehin në mënyre më racionale mbështetjen ndaj Berishës. Por në stadin në të cilin ndodhet shoqëria e demokracia shqiptare jo çdo gjë që vjen nga jashtë mund të përtypet si e mirë. Për 20 vjet shqiptarët kanë mësuar si funksionon demokracia, ndërkohë që zhvillimi në të gjitha fushat ka ulur dukshëm rëndësinë e rekomandimeve që vijnë nga jashtë. Falë informacionit në rritje, por dhe rritjes së nivelit të jetesës e sidomos të standardeve demokratike, më shumë sesa rekomandimet ndikojnë modelet që Perëndimi ofron si mënyra qeverisjeje apo të bërit politikë, sidomos ato që janë aplikuar me sukses më parë në këto vende. Kriza globale e vuri Perëndimin, demokracinë e sidomos politikën e tij në provë të madhe. Ne shqiptarët kemi pasuar shansin e madh që vonesën apo prapambetjen e treguar nga komunizmi ta kthejnë në sukses, pasi mund të zgjedhim midis përvojave e praktikave të vendeve të tjera më të zhvilluara. Duhet thënë se shumë pak e kemi shfrytëzuar këtë mundësi, gjë që mund dhe duhet ta bëjmë tani. Në këto prag zgjedhjesh Perëndimi, ose më mirë të themi politika e tij mund të përdoret si pasqyrë për zgjedhjet shqiptare. Si në Perëndim, edhe këtu garohet midis së djathtës dhe së majtës dhe politika që mbështeten në parime të njëjta e programe të përafërta në shkallë globale. Po t’i hedhim një sy Europës, vendet më të stabilizuara politikisht e ekonomikisht janë ato që drejtohen e qeverisen nga të djathtët, që në disa prej tyre po riparojnë me vështirësi pasojat e politikave të majta. Gjermania, vendi më i zhvilluar i BE-së, një nga vendet më të zhvilluara në botë, ka arritur të lulëzojë ekonomikisht në qendër të krizës globale falë drejtimit për dy mandate nga qeveria e djathtë e znj. Merkel. Britani e Madhe, një tjetër fuqi e stabilizuar europiane e globale, drejtohet sërish nga konservatorët e z. Kamerun. Greqia, vendi më me influencë në zhvillimet politike shqiptare në gjysmën e parë të këtyre dy dekadave demokraci, mbërriti në buzë të humnerës si pasojë e qeverisjes së PASOK-ut. Sot të djathtët e z. Samaras në pushtet po mundohen ta shpëtojnë me reformat e ndërmarra. ndërkohë që z. Papandreu radhitet sot forca e tretë politike. Rënia ekonomike ka ulur dukshëm nivelin e aksesit grek në zhvillimet shqiptare dhe politika e diskredituar e saj nuk mund të jetë as model e as i dëgjueshëm nga elektorati shqiptar. Ndërprerja e pensioneve të “homogjenëve”, faktori kryesor i ndikimit të madh grek në Shqipëri, por dhe largimi apo humbja e interesave të emigrantëve për këtë vend në prag të falimentimit, e minimizon rolin e tyre në zgjedhjet shqiptare. I vetmi politikan që duket se e “rruan” ende për Athinën zyrtare këtu te ne është Vangjel Dule i PBDNJ-së, që ka një deputet në parlament, të cilin rrezikon seriozisht ta ketë sërish pas 23 qershorit. Siç thashë më lart, shumë shqiptarë ishin detyruar të hiqeshin si grekë dhe votonin për PBDNJ-në për të përfituar pensionimin e akorduar nga qeveria greke, i ndërprerë kohët e fundit nga masat shtrënguese të BE. E njëjta situatë është dhe në Spanjë e Portugali, ku të djathtët në qeveri po përpiqen të stabilizojnë vendet e tyre të çuara në buzë të greminës nga politikat e qeverisjeve socialiste. I vetmi vend i madh europian i qeverisur nga socialistët është Franca. Presidenti Holand po aplikon një politikë radikale taksash të ngjashme me premtimin e Ramës për taksën progresive, gjë që ka çuar në mbylljen e dhjetëra bizneseve të mëdha dhe largimin e kompanive e të pronarëve të tyre jashtë vendit. Vetë presidenti ka cekur fundin, pasi nga sondazhet më të fundit ka thyer rekordin e kundërshtimit popullor të presidencës së tij dhe zgjidhja që ai premtoi në fushatë ka rezultuar një katastrofë për ekonominë franceze. Me pak fjalë, suksesi politik në Europë dhe në botë është atribut i së djathtës dhe atyre të majtave të qendrës që kanë aplikuar politikat e saj. Në këto kushte, elektorati shqiptar ka gjithë mundësinë të përfitojë nga gabimet e të tjerëve duke u orientuar kah suksesit në zgjedhjet e 23 qershorit. Por sigurisht që një pjesë e mirë e zgjedhësve për shumë arsye nuk e kanë mundësinë e informacionit për çka ndodh në Europë e më gjerë me politikat, gjë që detyron politikën e djathtë shqiptare dhe mediet që e mbështesin atë ta sqarojnë opinionin publik edhe për t’i prerë rrugën e spekulimit demagogjik të së majtës politike e mediatike për preferencat perëndimore të politikës shqiptare. Këtu mund të vijë një Pitella apo Ajala, mund të dërgojë mesazhe Papandreu, por këta nuk janë Europa në pushtet, Europa e suksesshme, ajo Europë për të cilën ka nevojë Shqipëria dhe shqiptarët. Po sigurisht që ka edhe një anë tjetër të medaljes, që lidhet me besueshmërinë e politikave respektive shqiptare në qarqet politike e shtetërore të Perëndimit euroatlantik. Cila është më e besueshme, e majta apo e djathta? Kjo është një pyetje që çdo qytetar i këtij vendi ka mundësi t’ia bëjë së pari vetes, para se të vendosë për kë do të votojë më 23 qershor.

Për të disatën herë ish-ambasadori amerikan Uidhers ka dalë në shtyp në mbështetje të ish-komunistëve për arsye e interesa që tani janë të sqaruara publikisht. Edhe pse pensionist, një diplomat karriere duhet të jetë shumë serioz në deklarimet e tij. Kohë më parë mediet shqiptare zbardhën disa “Wikilaks”, ku vetë ish-ambasadori në një kabllogram drejtuar DASH-it theksonte faktin që kryetari i grupit parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi, ishte një person i padëshirueshëm në SHBA. Sigurisht që Perëndimi pritet të ketë më shumë besim te Visar Zhiti sesa te Gramoz Ruçi dhe shqiptarët duhet ta kenë të qartë më shumë se kurdoherë tjetër një gjë të tillë. “Ne besojmë ata që u futën në burg, jo ata që i futen”, – pati deklaruar vite më parë drejtuesja e njohur e BE-së Leni Fisher, një qëndrim që Perëndimi euroatlantik nuk duket se e ka ndryshuar edhe sot.

Sigurisht që qasja dhe raportet euroatlantike të politikës shqiptare janë vetëm një aspekt i përcaktimit elektoral të publikut shqiptar, por sigurisht thelbësor për një vend ku më shume se 90% e popullsisë dëshirojnë integrimin e plotë euroatlantik te vendit. Siç thamë më lart, impakti euroatlantik në zhvillimet politike e elektorale në Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe kandidate për në BE është shumë i kufizuar dhe sigurisht jo i drejtpërdrejtë. Por për shqiptarët, që kanë ende ëndërr Europën, ky raport është shumë domethënës e përcaktues në vendimin e tyre politik. Europa, sukseset dhe dështimet e saj mund të jenë pasqyra më e mirë ku shqiptarët mund të kontrollojnë vetveten, si një mundësi oportune për të mos gabuar e për të mos e pësuar si fqinjët tanë. Perëndimi euroatlantik u është dashur e u duhet shqiptarëve për shumë gjëra, por sot më shumë se kurrë ai na shërben si orientimi më i mirë dhe më i saktë politik e elektoral për zgjedhjet e 23 qershorit.