Përfundojnë takimet e liderëve evropianë me Kurtin e Vuçiqin. Ende asnjë prononcim për përmbajtjen

Bruksel, 26 tetor 2023 – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kanë takuar sot (e enjte) në Bruksel, veçmas, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Scholz, Macron dhe Meloni e kanë takuar së pari Kurtin e pastaj Vuçiqin. Në takime kanë marrë pjesë edhe Pwrfaqwsuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Joseph Borrell, dhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Takimit janë zhvillua në prag të samitit të BE-së. Ato kanw zgjatur rreth 1 orë e gjysmë bashkërisht. Kurti dhe Vuçiqi kanë shmangur ballafaqimin me gazetarët e shumtë që kanë pritur para hotelit ku janw zhvilluar takimet.

As zyra e Borrellit nuk ka lëshuar ende deklaratë për takimet. Por, gjykuar nga përbërja e përfaqësimit të BE-së, në këto takime është diskutuar për planin e zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizim të marëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, të cilin ua dorëzoi dy palëve “pesëshja e madhe”, fundjavën e kaluar.

Më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se takimet me Kurtin e Vuçiqin janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, nga “pesëshja e madhe”.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’u kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punojnë menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, ka thënë Stano.

Të mërkurën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë të jetë “kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë”.

Ndërkaq Vuçiq nuk ka shprehur ndonjë qëndrim lidhur me planin, me arsyetim se kështu janë marrë vesh me “pesëshen e madhe”.

 (r.m.)