Përfundon bastisja në banesën e ish- këshilltarit të Thaçit. Avokati tregon arsyet e bastisjes

Prishtinë, 22 shkurt 2023 – Ekipet e Gjykatës Speciale në Hagë e kanë kryer bastisje në banesën e Adil Behramajt, ish-këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati i Behramajt, Artan Qerkini, ka treguar se bastisja është kryer me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në bazë të pretendimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për një vepër penale që është është nën juridiksionin e këtyre dhomave.

Pas përfundimit të bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk ka urdhër arrest për Behramajn.

“Sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara është bastisur banesa e zoti Adil Behramaj në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specializuar për një vepër penale, e cila, sipas tyre, është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e ka parë vendimin dhe e ka bërë një vlerësim fillestar të tij”, ka thënë ai.

Qerkini ka thënë se në vendimin për bastitje nuk ishte specifikuar për çfarë vepre penale bëhet fjalë dhe ka shtuar se nuk dihet nëse kjo ka të bëjë ose jo me rastin “Thaçi e të tjerët”.

“Nuk është specifikuar. Është specifikuar vetëm një hetim për një vepër penale, e cila, sipas tyre, bie nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ai.

Qerkini ka thënë se as zoti Behramaj dhe as mbrojtja e tij nuk janë njoftuar as për motivet e bastisjes dhe as për bazën e akuzave potenciale kundër tij.

“Është  fazë shumë e hershme e hetimit dhe këto informata nuk i janë dhënë mbrojtjes. Për këtë arsye nuk dëshirojmë të spekulojmë”, ka thënë Qerkini.

Adil Behramaj nuk ka dashur të komentojë lidhur me bastisjen e banesës së tij.

Bastisja në banesën e Behramajt ka filluar rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe ka zgjatur dhjetë orë. Gjatë operacionit në banesë janë parë ekipe të EULEX-it, ndërsa ndërtesa jashtë është siguruar nga pjesëtarë të Policisë se Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk kanë dhënë kurrfarë informacioni lidhur me operacionin.

(r.m.)